Dënimi i gjyqtares Mimoza Margjeka–Të gjitha faktet

Nga Exit News
Dënimi i gjyqtares Mimoza Margjeka–Të gjitha faktet

Gjykata e Posaçme vendosi të lërë në arrest në shtëpi gjyqtaren e Apelit të Korçës, Mimoza Margjeka, pasi akuzohet për korrupsion. Në vendimin e dhënë disa ditë më parë, gjykata argumenton se gjyqtarja Margjeka ka marrë shumën prej 6 mijë eurove për të liruar një person të akuzuar për ndihmë të kalimit të paligjshëm të kufirit.

Exit sjell shkurt faktet mbi ngjarjen.

Gjykata e Pogradecit vendosi masën e sigurisë arrest me burg për dy persona përkatësisht; Orion Bali dhe Ardi Mullalli. Avokati i Balit, Skënder Demiraj i kërkoi familjes së Balit shumën prej 6 mijë eurosh në mënyrë që të ndryshonte masën e sigurisë nga arrest me burg në një më të lehtë.

Nga përgjimet rezulton se avokati njihte Klaudio Zhillën, i cili njihte bashkëshortin e gjyqtares Margjeka dhe kryesuesin e trupës gjykuese e njëkohësisht relatorin e çështjes, Olsi Xhavella. Sipas përgjimeve të publikuara në vendimin për Margjekën kemi komunikime të Zhillës me Demirajt gjithashtu dhe Zhillës dhe bashkëshortit të Margjekës. Gjithashtu rezulton në disa përgjime se Zhilla është takuar dhe me gjyqtarin Olsi Xhavella.

Nisur nga këto përgjime Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit nisi hetim ndaj gjyqtares Margjerka, bashkëshortit të saj, avokatit Demiraj dhe Klaudio Zhillës, duke i kërkuar gjykatës :

Arrest me burg për bashkëshortin e Margjekës dhe Klaudio Zhillën dhe arrest në shtëpi për gjyqtaren Margjeka dhe avokatin Demiraj.

Vendimi, i parë nga Exit paraqet disa probleme.

Siç treguam më lart në përgjimet rezulton se përveç gjyqtares Margjeka dhe bashkëshortit të saj, avokati Demiraj dhe Klaudio Zhilla kanë takuar dhe gjyqtarin Xhavella.Nga komunikimet mes tyre rezulton se Xhavella e kishte marrë përsipër të ndryshonte masën e arrestit por me kushtin që njëra nga gjyqtaret e tjera të votonte pro. Pavarësisht ekzistencës së këtij komunikimi, SPAK nuk ka nisur një hetim ndaj tij, por vetëm ndaj Margjekës.

Ndërkohë në asnjë moment përgjatë leximit të përgjimeve nuk tregohet se ku kanë shkuar paratë e marra nga familja e Balit si dhe nuk ka asnjë të dhënë se bashkëshorti i Margjekës ka marrë para. Kjo do të thotë se prokuroria nuk ka prova për korrupsionin e Margjekës.

Gjykata ka vendosur të lërë në burg bashkëshortin e Margjekës, ndaj të cilit nuk është provuar të ketë marrë para dhe ndërkohë ka lënë në arrest shtëpie avokatin Demiraj, i cili ju ofroi familjarëve lirimin e Balit në këmbim të 6 mijë euro.

Kodi i Procedurës Penale parashikon se arresti në burg mund të vendoset vetëm me përmbushjen e dy kushteve:
-Kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme
-Rrezikshmëria e veçantë e veprës penale dhe të pandehurit

Gjykata në asnjë moment nuk ka argumentuar praninë e këtyre dy kushteve tek bashkëshorti i gjyqtares Margjeka. Nga ana tjetër Kodi përcakton dhe kushtet kur vendosen masat e sigurisë ku referohen rrezikshmëria e të pandehurit, e veprës penale, mundësia për largim nga vendi etj. është detyrë e gjykatës të argumentojë ekzistencën e këtyre kushteve në momentin ku vendos një masë sigurimi.

Gjyqtarja Mimoza Margjeka refuzoi të certifikojë mandatin e kryebashkiakes së zgjedhur të Durrësit, të dalë nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Ajo e quajti mandatin e kandidates socialiste të marrë në mënyrë të parregullt, për shkak të pjesëmarrjes së paligjshme në zgjedhje të Partisë Bindja Demokratike (BD). Sipas ligjit nëse regjistrimi i garuesve është i paligjshëm, i bën zgjedhjet të paligjshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>