Deputeti gjerman Wadephul: Tahiri është peshk i madh, Xhafaj duhet të dorëhiqet

Deputeti gjerman Wadephul: Tahiri është peshk i madh, Xhafaj duhet të dorëhiqet

Jihann David Wadephul, zëvendës kryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së në Bundestagun gjerman, i ka dhënë një intervistë Opinion.al në lidhje me hapjen e negociatave me BE-në.

Nga intervista lihet të nënkuptohet, se në qershor mund të ketë një vendim për hapjen me kushte të negociatave, por praktikisht negociatat nuk do të fillojnë për aq kohë sa nuk janë plotësuar të gjitha kushtet e vendosura.

Vlerësimi i grupit parlamentar që ai përfaqëson është se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet për hapjen e negociatave. Në intervistë ai është shprehur për thuajse të gjitha kushtet një nga një.

Më poshtë janë mesazhet dhe pikat kryesore të intervistës së tij.

Pohon qëndrimin e Bundestagut se hapja e negociatave do të bëhet vetëm nëse plotësohen të gjitha kushtet, kusht i përfshirë në marrëveshjen e koalicionit mes CDU/CSU-së dhe SPD-së ka:

“Kushti për hapjen e negociatave për anëtarësim është, që vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin plotësisht kriteret e duhura.”

Thekson domosdoshmërinë për rezultate konkrete në reformën në drejtësi, veçanërisht përparimin e vetingut dhe zhbllokimin e institucioneve të rëndësishme të drejtësisë përfshi Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe prokurorinë speciale SPAK:

“Së paku, duhet të përfundojë plotësisht verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjykatave të instancave të larta dhe prokurorive, si dhe të organeve të apelit. Gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilëve u janë vërtetuar vepra të dënueshme në procesin e verifikimit duhet të jenë subjekt i procedimeve penale.

Duhet të fillojë puna dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatave të instancave të larta dhe SPAK -ut.”

Pohon se ndërsa ka rënë kultivimit i kanabisit, është rritur trafiku i të gjitha llojeve të drogës dhe thekson se përpjekjet kundër drogës duhet të jenë të vazhdueshme:

Ka rënë në mënyrë drastike kultivimi i kanabisit, por është rritur trafiku i drogave të rënda. lufta kundër drogës duhet të jetë e qëndrueshme dhe e vazhdueshme.

Ngre për herë të parë problemin e gjendjes së dobët të administratës publike, duke vënë në pah emërimet politike dhe klienteliste në administratën e lartë:

“Zyrtarë të lartë në ministritë dhe drejtoritë e administratës publike u rekrutuan direkt pa konkurs, në kundërshtim me ligjin e shërbimit civil. Kjo është thyerje e ligjit dhe duhet të korrigjohet.”

Thekson rëndësinë e reformës zgjedhore dhe dënon zvarritjen e saj:

“Që nga viti 2013, OSBE dhe BE kanë kërkuar reformë zgjedhore, por asgjë nuk ka ndodhur që atëherë – kjo është një shpërfillje e madhe ndaj OSBE dhe BE. Parlamenti shqiptar duhet të miratojë reformën zgjedhore në përputhje me planin e saj të punës deri në fund të vitit 2018. Ky është një kusht i domosdoshëm për ne deputetët, në mënyrë që të mund të votojmë pro hapjes së negociatave.”

Thekson se lufta kundër krimit dhe korrupsionit është vetëm teorike pa rezultate në praktikë:

“Shumë vendime jane marrë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Por në realitet, shumë pak është bërë: korrupsioni mbetet ende një problem në të gjithë sektorin e drejtësisë.”

Ngre si shqetësim të madh pandëshkueshmërinë e politikanëve të lartë:

“Ligjet ekzistuese dhe procedurat për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar janë aplikuar shumë më pak në mënyrë strikte ndaj zyrtarëve të lartë dhe politikanëve sesa ndaj zyrtarëve të mesëm dhe të ulët dhe ndaj qytetarëve të zakonshëm. Kështu që “peshqit e vegjël” u kapën dhe u dënuan, “peshqit e mëdhenj” mundën të depertonin jashtë rrjetës. Këtu kemi të bëjmë me shpërfilljen e një kushti themelor të sundimit të ligjit, i cili është trajtimi i barabartë i të gjithë qytetarëve para ligjit.”

E quan Tahirin peshk të madh dhe një nga pengesat për hapjen e negociatave:

“Çështja Tahiri është çështje e një “peshk i madh”. Në këtë cështje kemi të bëjmë deri sot me shkelje të hapur të parimeve themelore të shtetit ligjor. Kjo cështje është një pengese reale për hapjen e negociatave. Nëse ambasadori amerikan Donald Lu hedh akuza kaq të forta, atëherë duhet ta marrim këtë shumë seriozisht, sepse ambasadori Lu deri tani nuk ka rënë në sy si mik i opozitës.”

Thekson se Fatmir Xhafaj nuk mund të qendrojë ministër pasi është në konflikt interesi dhe mosdorëheqja e tij është pengesë për hapjen e negociatave:

“Në dijeninë time sipas fakteve te paraqitura dhe ligjislacionit, Ministri i Brendshëm është në këtë rast në konflikt interesi.

Për kredibilitetin e vet ndaj popullit shqiptar si dhe ndaj partnerëve të tij evropianë, Ministri i Brendshëm duhet të jetë i interesuar për një sqarim të plotë të çështjes, por kjo nuk mund të ndodhë nëse ai mbetet në detyrë si person i përfshirë. Kështu që ne ende kemi dyshime të konsiderueshme nëse ekziston vullneti politik për të praktikuar standardet ligjore të BE.”

Nënkupton njënashmërinë pro qeveritare të ambasadorit amerikan Donald Lu:

“Nëse ambasadori amerikan Donald Lu hedh akuza kaq të forta, atëherë duhet ta marrim këtë shumë seriozisht, sepse ambasadori Lu deri tani nuk ka rënë në sy si mik i opozitës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>