Deputeti Manja mbron Vangjush Dakon, sulmon prokurorët

Deputeti Manja mbron Vangjush Dakon, sulmon prokurorët

Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja mori sot në mbrojtje kryebashkiakun Vangjush Dakon për përgjimet e bëra publike sot nga gazeta gjermane BILD.

Në një deklaratë për median, deputeti Manja tha se në përgjimet e bëra publike sot nuk flitet për blerje votash. Ai tha se përmbajtja e bisedave telefonike po zmadhohet dhe keqpëroret për të destabilizuar vendin:

“Në të gjitha materialet e përgjimit nuk kam dëgjuar të flitet as për vota as për lek, as për leje as për tendera. Jemi ne terrenin e thashethemeve dhe te filxhanit. Të mos mbarset mjedisi politik me të pavërteta apo gjysmë të vërteta që çojnë në destabilizimin e vendit.”

Zoti Manja kërkoi identifikimin dhe dënimin e prokurorove apo punonjësve të prokurorisë që i kanë dhënë gazetës gjermane BILD përgjimet mes Dakos dhe bandës së Avdylajve.

Manja tha se nuk është i shqetësuar për çfarë dhe kush flet në ato biseda, por është i shqetësuar për nxjerrjen e sekretit hetimor nga prokurorët, e cila është vepër penale:

“Sot u bënë publike disa materiale përgjimi nga dosja 339 që aktualisht është në hetim. Nuk jam i shqetësuar për fatin e personave emrat e të cilëve përmenden në atë dosje, por jam i shqetësuar për dy gjëra: e para, agjencitë e zbatimit të ligjit (prokuroria dhe Policia Gjyqësore) duhet të vlerësojnë seriozisht çështjet e daljes në publik të sekretit hetimor dhe të kthehen në hullitë e zbatimit të ligjit, jo vetëm për të hetuar personat e përfshirë në dosjen 339, por edhe brenda vetes të gjithë ata prokurorë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore të cilët e kanë braktisur misionin e tyre kushtetues dhe kanë çuar dosjet në zyrat e PD-së. Kjo është thyerje e rëndë e sekretit hetimor. Kjo është vepër penale e dënueshme.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>