
Deputetja kosovare Mimoza Kusari-Lila kërkoi largimin e kryeministrit Hoti nga detyra pasi nuk ka respektuar protokollet e Covid-19.
Menjëherë pasi në media u publikua lajmi se Avdullah Hoti është infektuar me Covid-19, deputetja shkroi se Hoti nuk është izoluar në momentin që nuk është ndjerë mirë dhe është testuar, por ka vazhduar të dalë në terren:
“Pse z. Hoti pasi u testua doli në terren dhe takoi dhjetëra njerëz e biznese të cilët sot të gjithë potencialisht janë të rrezikuar e sigurisht disa prej tyre, nuk do t’iu ipet as mundësia për t’u testuar.”
Këtyre akuzave i është pëgjigjur kryeministri Hoti, i cili sqaroi se është izoluar që në momentin që është testuar:
“Edhe pse nuk kam pas asnjë shqetesim serioz, me paraqitjen e një kolle të lehtë të dielën, bashkëpunëtorët më rekomanduan të testohem. Testimin e kam bërë të dielën rreth orës 16.
Në momentin që jam testuar, jam izoluar në pritje të rezultatit, pasi kështu është protokolli i rekomanduar nga mjekët. Sapo e kam marrë rezultatin, e kam bërë publik. Kushdo që deklaron ndryshe nuk e thotë të vërtetën.”