Sistemi i identifikimit biometrik të votuesve në zgjedhjet e 25 prillit do të certifikohet nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave nëse përputhet me ligjin dhe me kushtetutën përpara se të mund të përdoret.
Kështu u shpreh Besnik Dervishi, Komisioneri për Mbrotjen e të Dhënave për emisionin “Me pak fjalë”, në Euronews, të mërkurën.
Ndër të tjera Dervishi u shpreh:
“Problemi më i madh është koha për të zbatuar këtë projekt. Zyra e komisionerit i ka të ndërtuara standardet për mbrojtjen e të dhënave personale. Ne do të kërkojmë ruajtjen e sistemit të informacionit do ta kërkojmë edhe nga KQZ për rastin konkret.”
Pyetjes nëse mund të abuzohet me këto të dhëna, komisioneri iu përgjigj se:
“Të dhënat mblidhen dhe përpunohen për objektin që janë mbledhur. Pas përdorimit këto të dhëna do të shkatërrohen.”
Dervishi u shpreh se “në parim duhen gjetur mjete dhe më mënyra që prekin sa më pak të dhënat e qytetarit”, në krahasim me marrjen e shenjës së gishtit.