Dhuna e Anjezës e dhuna mes nesh

Nga Mirilda Tili Kobatake
Dhuna e Anjezës e dhuna mes nesh

E mallkuam! E urryem! Derdhëm gjithë neverinë ku e kishim dhe ku nuk e kishim! I dhamë edhe vendimin si duhej të ndëshkohej.

Edhe në këtë rast, si në gjithë të tjerat, në fakt, ne bëmë vetëm sehir dhe shprehëm dufin tonë në rrjetet sociale. Bashkë me dëshirën për të vënë drejtësi, ne frymëzuam edhe prodhuesit e filmave horror me të gjithë fantazinë e shfrenuar.

Unë isha një ndër to. Reagova jo vetëm si nënë dhe si femër, por edhe si një kolege klase me Anjeza Shabanin. Sigurisht që nuk e marr dot me mend se çfarë ka ndodhur me jetën e saj dhe me atë vetë, që është shndërruar në një dhunuese të tillë. Por edhe nuk dua të bëj psikologen apo avokaten e saj.

Shqetësimi im dhe jo vetëm i imi, besoj, është ajo çfarë ndodh me fëmijët tanë. Jo vetëm me fëmijët jetimë në institucionet e përkujdesit, fëmijët në situatë rruge apo fëmijët në shkolla dhe kopshte. Shqetësimi është për fëmijët që dhunohen në shtëpi. Që mësohen me dhunën si pjesë e edukimit, autoritetit prindëror dhe të tilla teori.

Janë këta fëmijë që e shohin dhunën si të natyrshme dhe jo si problem kur e hasin jashtë mureve të shtëpisë. Sepse, nëse ai vogëlush nuk kishet mundësi të shprehte atë çfarë ndodhte në kopshtë, sigurisht që fëmijët e tjerë më të mëdhenj mund t’i tregonin prindërëve të tyre se çfarë ndodhte aty.

Ky është prolemi ynë madhor si shoqëri. E kemi dhunën pjesë të edukimit dhe nuk na shqetëson kur e hasim.

Edhe pse rrjetet sociale kanë shpërthyer nga një reagim i egër ndaj dhunueses, sërish ata që reagojnë sot do ta harrojnë. Madje më shpejt se ç’pandehim ne.

Nuk ka kaluar shumë nga kur pamë tmerrin në shtëpinë e fëmijve në Shkodër, ku ishin dhunuar jo një por disa fëmijë. Çfarë u bë? Ku janë ato që ushtruan dhunë? Sa u dënuan? Çfarë shembulli u dha? Kush kërkoi falje? Çfarë ndodhi me fëmijët e dhunuar, më pas? A kërkon kush llogari për të gjitha këto?

Çfarë ndodhi me nënën e dhunuar nga bashkëshorti i saj përpara tre fëmijëve të mitur dhe përpara shumë qytetarëve? Çfarë po ndodh me të ngjashmet e saj, që nuk kanë pasur ende “fatin” të filmohen dhe denoncohen publikisht? Kush po shqetësohet për dhunën që ndodh çdo ditë? Kush po shqetësohet për faktin që çdo javë raportohen të paktën tre krime brenda familjes?

Ja pra… Anjeza është vetëm një rast ndër qindra. Ajo tashmë është në duart e drejtësisë. Por  çfarë po ndodh me rastet e tjera? Çfarë po ndodh me fëmijët që dhunohen brenda familjes? Me ata vogëlushë që mësojnë dashurinë nëpërmjet dhunës dhe më pas kuptojnë se kushdo që i dhunon ata edhe i do, sepse kështu janë mësuar në shtëpinë e tyre. Me fëmijët, nënat e të cilëve sakrifikojnë pa fund për ta dhe janë po të parat që besojnë tek e “drejta” e tyre për të goditur fëmijët e tyre.

Ato janë të parat që ju mësojnë fëmijëve që të mos bëhen pis se “do i hajë miu” “do i gjejë e zeza” apo “do ju vijë polici”. Kur fëmijët dëgjojnë thirrjet “mos aty se të vrava”  apo “mos se ta griva mishin” çfarë ju kemi dhënë atyre, përveç se mësimet e të qenit monstra.

Po për këta fëmijë kush do përgjigjet? Nëse ja u heqim prindërve nga duart ku do i çojmë? Në institucione ku janë edhe më të kërcënuar?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>