Dhuna në familje, KiE i kërkon Shqipërisë të rregullojë ligjin për kujdestarinë e fëmijëve

Nga Exit Staff
Dhuna në familje, KiE i kërkon Shqipërisë të rregullojë ligjin për kujdestarinë e fëmijëve

Legjislacioni shqiptar për kujdestarinë nuk përfshin dispozita për mbrojtjen dhe fuqizimin e viktimave të dhunës në familje, sipas raportit për vitin 2021 të Grupit të Ekspertëve për Dhunën ndaj Grave dhe Dhunën në Familje (GREVIO).

Raporti i tretë i kësaj organizate të pavarur, të themeluar në 2015 nga Këshilli i Evropës, u fokusua te çështjet që kanë të bëjnë me legjislacionin për kujdestarinë, të drejtën për vizita dhe te dhuna në familje. Ai konstatoi se shumë vendeve u mungon mbrojtja e duhur për fëmijët dhe viktimat e dhunës në familje që kërkojnë të largohen nga abuzuesit e tyre.

“Gratë viktima të dhunës në familje, të cilat shpesh largohen nga abuzuesit, ballafaqohen me kërcënime për të dëmtuar fëmijët e tyre… dhe me një shkallë alarmante të vrasjeve, si të grave ashtu, edhe të fëmijëve viktima… sipas raportimeve të rregullta në media në të gjithë Evropën”, thekson raporti.

Shqipëria vuan nga një shkallë e lartë e dhunës në familje dhe me bazë gjinore, me një në tre gra që e raportojnë atë të paktën një herë në jetën e tyre, ndërsa mesatarja në BE është një në katër.

Vetëm në vitin 2021 në Shqipëri u vranë 20 gra, ndërsa gjashtë janë vrarë deri më tani në vitin 2022 nga partnerët e tyre.

Raporti i GREVIO-s thekson gjithashtu se shumica e vendeve anëtare të Këshilit të Evropës nuk ofrojnë kujdes dhe mbrojtje specifike sipas moshës, ose nuk kanë në fuqi dispozita ligjore që marrin parasysh provat e dhunës në familje kur përcaktojnë të drejtat për kujdestarinë apo për vizita.

“Në Shqipëri, Belgjikë, Itali, Monako, Poloni, San Marino dhe Slloveni, GREVIO nuk gjeti asnjë referencë eksplicite ndaj dhunës në familje si kriter ligjor që duhet marrë parasysh kur vendoset për të drejtat e kujdestarisë dhe/ose të vizitës”, thuhet në raport.

Raporti vuri gjithashtu në dukje se “shtetet priren t’i japin përparësi mbajtjes së kontaktit me të dy prindërit me çdo kusht, pavarësisht nga dhuna e dëshmuar”.

Në këto raste përdoret si justifikim se njëri prind ka krijuar te fëmija imazh të keq për prindin tjetër “për të dëmtuar pikëpamjet e fëmijëve viktima të dhunës në familje, të cilët kanë frikë nga kontakti me autorët e abuzimit në familje, pavarësisht nga rreziqet e dukshme si për viktimat në moshë të rritur, ashtu edhe për fëmijët”.

Grupi GREVIO nxori edhe rekomandimin e parë të përgjithshëm, ku u kërkoi shteteve të përqëndrohen te dhuna ndaj grave në sferën dixhitale.

Në Shqipëri, një analizë e rishme nga BIRN tregoi qindra raste ku identifikohen viktima të abuzimit seksual, ose justifikohet dhuna në familje.


EU funded RDN

Ky artikull është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të Projektit “Reporting Diversity Network 2.0”, nën skemën e mbështetjes së granteve të vogla.

Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “New Policy Group” dhe, si e tillë, nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Rrjetit të Raportimit të Diversitetit 2.0.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme