Dhurata e udhëheqësit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, për ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov dyshohet se mund të jetë kontrabanduar në mënyrë të paligjshme.
Prokurorët boshnjakë kanë thënë të premten se do të hetojnë prejardhjen e ikonës 300-vjeçare pasi dyshohet se ajo është kontrabanduar nga Ukraina lindore, raporton Reuters.
Shqetësimet për objektin e çmuar i ka ngritur ambasada e Ukrainës në Sarajevë pasi mediumi serb, Srna publikoi një fotografi të ikonës dhe vulën e saj të vërtetësisë, e cila sugjeron se ajo mund të ketë origjinën në qytetin e Luhansk, ku separatistët pro-rusë po luftojnë me forcat e qeverisë së Kievit.
Millorad Dodik, përfaqësuesi serb në presidencën tre-anëtarëshe të Bosnjës, deri më tani ka refuzuar të komentojë mbi këtë çështje.
Në një letër të botuar nga media boshnjake, ambasada e Ukrainës tha se dështimi për të dhënë informacion në lidhje me ikonën do të shihej si tregues i mbështetjes për “politikat agresive dhe veprimet ushtarake të Federatës Ruse në Ukrainë”.
Prej fillimit të konfliktit në Ukrainën lindore në 2014, Reuters raporton se dhjetëra serbë të Bosnjës kanë luftuar së bashku me forcat rebele ruse.