
Pak ditë pas deklaratave të Komisionerit Zgjedhor Ilirjan Celibashi, për pamundësinë e realizimit të votimit të diasporës në zgjedhjet e 25 prillit, erdhi të mërkurën reagimi i Lëvizjes Diaspora për Shqipërinë e Lirë.
Përmes një letre, të publikuar në rrjetet sociale, organizata e ka quajtur mashtrim të radhës të qeverisë premtimin për votimin e diasporës.
Ata kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit për Diasporën, Pandeli Majos dhe i kanë tërhequr vërejtje Komisionerit Celibashi, duke i quajtur përpjekjet e tij të pamjaftueshme.
Njëkohësisht, organizata u ka kërkuar krerëve të opozitës të marrin për anagazhim realizimin e votimit të diasporës dhe të mbajnë përgjegjësi në rast moszbatimi.
Lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë shkruan se largimi i qeverisë është misioni më i rëndësishëm i momentit dhe ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në votime.