“Kur mungesa e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese po pamundëson mekanizmin kryesor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, 10 Maji i Ditës së Drejtësisë nuk është i plotë”
Kështu u shpreh Presidenti Ilir Meta në një postim në Facebook, në ditën Botërore të Drejtësisë.
Ai u shpreh se kjo ditë duhet të na shërbejë si reflektim për rëndësinë që ka funksionimi i plotë, i pandërprerë, i pavarur dhe i paanshëm i gjithë sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Meta tha se “duhet të vazhdojmë të mbrojmë edhe me më shumë forcë dhe vullnet, parimet kushtetuese për një gjyqësor të pavarur dhe funksional që meriton secili qytetar, nën frymën e Kushtetutës së miratuar prej tyre me referendum që prej datës 22 Nëntor 1998.”
Në përfundim të postimit Presidenti Meta uroi dhe Komisionin e Venecias në 30 vjetorin e krijimit të tyre.