Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, Rama në panair, qytetarët protestë për minatorët

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, Rama në panair, qytetarët protestë për minatorët

Teksa Kryeministri Rama organizoi sot në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Panairin e Përvitshëm të Punës, dhjetëra qytetarë e aktivistë prostuan, kundër harresës së qeverisë ndaj punëtorëve, e veçanërisht ndaj minatorëve.

Të mbledhur përpara Ministrisë së Energjitikës, protestuesit i kërkuan qeverisë llogari për kushtet e vështira të punës që rrezikojnë jetën e minatorëve çdo ditë, por Kryeministri Rama bëri vetëm një tur nëpër stendat në Sheshin Skëndëbej dhe nuk u përball me protestuesit vetëm pak metra larg tij.

Protestuesit u shprehën se 42 minatorë kanë humbur jetën në miniera që prej vitit 2013, pasi qeveria nuk ushtron asnjë kontroll mbi kushtet e punës që kompanitë koncesionare sigurojnë në miniera.

Vetëm në vitin e fundit 8 minatorë kanë humbur jetën brenda galerive dhe dhjetëra të tjerë janë aksidentuar nëpër galeritë e kromit, si pasojë e kushteve të këqija të punës. Deri më tani asnjë nga kompanitë koncesionare apo qeveria nuk ka mbajtur përgjegjësi.

Minatorët po ashtu ende nuk kanë marrë statusin e minatorit, premtim ky i bërë nga Partia Socialiste që në vitin 2013.

Vetë minatorët kanë protestuar disa herë për kushtet e rrezikshme të punës dhe marrjen e statusit të minatorit që do të mbronte të drejtat e tyre, do të siguronte pagë minimale më të lartë se ajo aktualja, do të rriste pensionin e uljen e moshës së daljes në pension, si dhe trajtim mjekësor falas.

Aktualisht, punëtorë dhe ish-punëtorë të minierave numërohen rreth 8 mijë persona. Ata njihen si një ndër grupet me jetëgjatësinë më të shkurtër krahasuar me qytetarët e tjerë, si pasojë e punës në kushte të vështira në nëntokë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>