Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) Klodian Gradeci dha sot dorëheqjen. Dorëheqja e tij erdhi pas skandalit me DH Albania, kompania fantazëm e cila fitoi tenderin prej 12 milionë eurosh për linjën e transmetimit të energjisë Burrel-Peshkopi.
Largimi i tij u kërkua edhe nga Ministrja e Re e Energjitikës, Belinda Balluku, e cila i nisi kërkesë Bordit të OST për shkarkimin e tij.
Sipas të dhënave në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, OST-ja i ka dhënë kompanisë DH Albania, një tender me vlerë 12 milionë euro për ndërtimin e linjës Burrel-Peshkopi. Tenderi është zhvilluar në nëntor dhe kompania DH Albania e ka fituar atë me 100 për qind të fondit limit .
Kompania DH Albania është përfshirë edhe në skandalin e tenderit të Unazës së Re, ku u shpall fituese e lotit të parë të projektit.
Sipas të dhënave të publikuara në emisionin “Të Paekspozuarit”, kompania DH Albania falsifikoi dokumentacionin e dorëzuar .
Një ditë pas bërjes publike të skandalit me kompaninë fantazëm DH Albania, Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi pezullimin e përkohshëm të punimeve.