Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi të kalojë në gjykim dosjen 339. Vendimi u dha nga gjyqtarja Irena Gjoka.
Disa muaj më parë, gjykata i kërkoi Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të kryejë hetime të mëtejshme për këtë dosje.
Në janar të këtij viti, SPAK mbylli hetimet hetimet për këtë rast dhe dërgoi në gjykatë procedimin për 19 të akuzuar.
Mes të arrestuarve janë dhe 13 anëtarë të bandës së vëllezërve Avdyli nga Shijaku, të cilët u kapën në audio-përgjime teksa flisnin me ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako për mbledhjen e votave për PS-në në zgjedhjet e vitit 2017.
Ata akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe pastrim parash
Hetimet për këtë rast u ndoqën nga dy ish-prokurorë të Krimeve të Rënda, që tashmë janë komanduar si pjesë e Prokurorisë së Posaçmë Antikorrupsion, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara.
Laboratori i përpunimit të heroinës në Has u zbulua më 19 tetor 2018. Policia sekuestroi 150 kilogramë heroine të përpunuar, të bërë gati për shitje, dhe një sasi opiumi, lënda bazë për përpunimin e heroinës.
Laboratori ishte ndërtuar në një zonë periferike, në fshatin Brenog brenda dy kapanoneve që më parë, përdoreshin si stalla për bagëtitë. Ka dyshime se laboratori i përket një linje të trafikut të drogave të forta që vepron prej vitesh nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së.