Keni qenë ndonjëherë në Portugali?
Jamystic ju transporton atje me një ëmbëlsirë tipike: Pasta me krem.
Kjo është një nga ëmbëlsirat më të konsumuara atje dhe origjina e saj vjen nga një qytet i vogël Belém, sot një lagje e Lisbonës.
Është shumë e thjeshtë për t’u realizuar megjithëse pastat më të mira kanë akoma recetën e tyre të fshehtë.
Ne do të guxojmë me këtë:
Për 4 persona nevojiten:
- 1 petë sfoljatë
- 100g sheqer
- 25 cl krem pana
- 4 të verdha vezësh
- 10g gjalpë
- 1 lugë kafeje miell
- 1 limon (cipa në rende)
- kanellë/ sheqer pluhur për dekor
Ngrohim furrën në 250 gradë.
Në një enë qelqi përziejmë të verdhat e vezëve me sheqerin derisa masa të zbardhet. Hedhim aty miellin, cipën e limonit të grimcuar dhe panën dhe i përziejmë.
Gjithë masën e kalojmë në një tenxhere dhe e vëmë në zjarr të mesëm.
Duke e përzier vazhdimisht presim sa të dalin flluskat e para dhe e heqim nga zjarri.
E lëmë të ftohet pak.
Petën sfoljatë e presim në formë rrethore sipas enëve të vogla ku do t’a vëmë. I lyejmë format me gjalpë që të mos ngjisin dhe vendosim sfoljatën. Përsipër i hedhim kremin me një diferencë prej 1 cm nga sipërfaqja sepse vezët do të fryhen. E përsërisim veprimin për të gjitha format.
I vendosim në furrë për 5 min në 250 gradë dhe për 10-15 min në 200 gradë.
Jamystic këshillon: Për një shije edhe më të theksuar i hedhim përsipër pas furrës një përzierje kanellë/ sheqer pluhur . Unë preferoj t’i konsumoj të vakura.