Pasaportat COVID janë mënyra e vetme për të rinisur në masë udhëtimet ndërkombëtare, sipas drejtorit të Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait, aeroporti përmes të cilit udhëtojnë më shumë pasagjerë ndërkombëtarisht në të gjithë botën.
“Nuk mendoj se ka një alternative tjetër” tha Paul Griffiths për BBC.
Kritikët e pasaportës COVID kanë argumentuar se ajo diskriminon ata që nuk kanë mundësi të vaksinohen.
Por Griffiths thotë se ai mbështet përdorimin e këtij dokumenti, që sipas tij është “i pashmangshëm”.
“Mendoj se problemi nuk është pasaporta e vaksinës dhe diskriminimi. Në fakt është shpërndarja e drejtë e vaksinave në botë”, tha Griffiths.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit kundërshtojnë pasaportat e vaksinave nga frika se ato do të krijojnë një “shoqëri me dy shtresa”.
Muajin e kaluar, Mike Ryan i OBSH-së përsëriti shqetësimet në lidhje me çështjet e etikës dhe të drejtave për pasaportat e vaksinave.
“Këto duhet të merren parasysh, veçanërisht në një botë ku vaksina shpërndahet në një mënyrë kaq të pabarabartë”, tha ai.
Vendet e Bashkimit Evropian ranë dakord zyrtarisht të mërkurën për të nisur prodhimin e pasaportave Covid19 të udhëtimit si një hap drejt rihapjes së turizmit këtë verë.
Pasaportat do të lejojnë të vaksinuarit, ata që kanë kaluar COVID-19 ose ata me teste negative të udhëtojnë më lehtë në BE.