Drejtori i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj deklaroi se akuzat e Partisë Demokratike për ndryshimin e vendbanimit të qytetarëve janë të pabaza, pasi kjo e fundit kërkonj një procedurë ligjore dhe nuk bëhet pa dëshirën e qytetarit.
Në një intervistë për Report Tv, Doracaj u shpreh:
“Më lejoni të sqarojë edhe një herë që askush dhe asnjëri nga qytetarët shqiptar që plotëson kushtet për të votuar nuk është zhvendosur nga qendra e votimit ku ka kryer votimet për herën e fundit. Ajo që ka ndodhur është një proces i përditshëm që kryen gjendja civile dhe nuk bëhet pa dijeninë e vetë banorëve. Shërbimi i gjendjes civile nuk ka zhvendosur askënd pa dijeninë e tij dhe pa plotësuar një procedurë ligjore.”
Doracaj shtoi se kemi të bëjmë me përditësimin e adresave, proces ky që ka nisur në fund të viti të kaluar. Ai pohoi se me 5 tetor do të publikohet ekstrakti i parë i listës së zgjedhësve si dhe qytetarët mund të kontrollojnë qendrën e tyre të votimit në e-Albania.