Audrey Glover, drejtuesja e misionit të OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, deklaroi sot se OSBE nuk mban asnjë përgjegjësi për datën dhe rezultatin e zgjedhjeve, por vetëm për mënyrën se si zhvillohen ato.
Duke folur përpara gazetarëve, Zonja Glover deklaroi:
“Ne nuk jemi të interesuar për rezultatin e zgjedhjeve. Ne jemi të interesuar që rezultatet të dalin dhe të shpallen në mënyrë transparente dhe korrekte.
Ajo që është e rëndësishme për ne është që zgjedhësit të kenë besim te integriteti zgjedhor. Që të ndodhë kjo zgjedhësit duhet të zgjedhin të votojnë dhe të zgjidhin në mënyrë reale. Ata duhet të zgjedhin mes kandidatëve që bëjnë fushatë në kushte të barabartë.”
Duke prezantuar planin e punës për vëzhgimin e zgjedhjeve, Zonja Glover tha se misioni i OSBE-së do të ketë 10 vëzhgues bërthamë, 18 vëzhgues afatgjatë dhe 250 vëzhgues afatshkurtër, të cilët do të hartojnë raporte mbi ecurinë e procesit të votimit:
“Ne do të vëzhgojmë gjithë procesin zgjedhor dhe nuk mund të flasim gjatë procesit. Mënyra se si ne operojmë është se nuk i përmendim parregullsitë në momentin që i konstatojmë, përgatitet një raport dhe pastaj deklarohen të gjitha ato që kemi parë nga vëzhgimet.
Do të shikojmë sa janë zbatuar rekomandimet nga misionet e kaluara. Do të shikojmë edhe pjesëmarrjen e grave dhe pakicave, regjistrimin e votuesve dhe kandidatëve, median, financimin e fushatës dhe mënyrën si zgjidhen ankesat dhe apelimit.
Misioni do të dalë me një raport para zgjedhjeve, do të ketë konferencë ditën pas zgjedhjeve për konstatimet paraprake.
Raporti përfundimtar do të publikohet tetë javë pas zgjedhjeve. Ne nuk jemi as policia dhe as politikanë, por profesionistë të zgjedhjeve.”
Pyetur nga gazetarët nëse OSBE nuk do t’i njohë zgjedhjet nëse opozita nuk merr pjesë, njësoj siç vepruan me zgjedhjet e vitit 1996, Zonja Glover u përgjigj:
“Nga ’96-ta ka kaluar shumë kohë dhe kam frikë se nuk më kujtohen të gjitha detajet. Unë them të vëzhgojmë këto zgjedhje.”