Pasi Këshilli Bashkiak i Vlorës anulloi mbledhjen e së enjtes, 24 qershor, kryebashkiaku Dritan Leli njoftoi thirrjen e mbledhjes së radhës, përmes aplikacionit ZOOM, në datën 29 qershor.
Përmes një statusi në rrjetin Facebook ai shton se e ndjen për detyrë të thërrasë mbledhjen e radhës “për të miratuar projektvendimet dhe ndihmat që banorët presin prej Bashkisë Vlorë dhe vazhdimësinë e projekteve të tjera”.
Në agjendën e publikuar nga Leli, mbledhja pritet të miratojë ndihmën ekonomike nga Bashkia, listën e fëmijëve me probleme ekonomike e sociale që frekuentojnë kopshte e çerdhet me drekë si dhe ato që duhet të përfitojnë nga strehimi social.
Njëkohësisht, njoftimi për mbledhjen u publikua edhe nga Këshilli Bashkiak, i cili shkruan se ajo do të zhvillohet në datën 30 qershor në ambientet e teatrit Petro Marko të qytetit.
Përveç çështjeve të mësipërme, në agjendën e Këshillit gjendet në rend të ditës edhe raportimi i kryetarit të bashkisë në lidhje me gjendjen e shërbimeve vendore, duke cituar shqetësimet e qytetarëve.