
Dy punonjëse të rafinerisë së naftës në Ballsh janë dërguar në spital, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Ato nisën disa orë më parë grevën e urisë për të zëvendësuar naftëtarët që ishin në grevë prej 18 ditësh. Por gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar për shkak dhe të sëmundjeve që kanë ata.
Dy punonjëset kanë premtuar se do të rikthehen në grevë sapo të marrin mjekim.
Të enjten, 10 naftëtarët e Ballshit kanë lënë grevën e urisë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, pas 18 ditësh grevë. Ka qenë këmbëngulja e mjekëve se vazhdimi i grevës do të ishte i rrezikshëm për naftëtarët, ajo që i ka detyruar ata të dalin nga greva.
Në vend të tyre, kanë nisur grevën, naftëtarë të tjerë, mes të cilëve shumica janë gra.