Ecejakësit – tre muaj në Itali, tre muaj në Shqipëri

Ecejakësit – tre muaj në Itali, tre muaj në Shqipëri

Vetëm gjatë javës së Krishtlindjes media italiane raportoi se ka arrestuar të paktën 50 qytetarë shqiptarë, në zona të ndryshme të Italisë, në shumicën e rasteve për trafik droge, vjedhje banesash ose vjedhjeve të vogla, si dhe një rast për dhunë në familje.

Një analizë e shpejtë tregon edhe se gjatë javëve të mëparshme ritmi është i njejtë, në mos më i lartë. Totali vjetor me këtë ritmë duhet të jetë të paktën 2 500 persona të arrestuar në vit.

Në burgjet italiane janë aktualisht rreth 2 600 shqiptarë, pothuajse njësoj sa rumunët dhe të dytët vetëm pas marokenëve. Por shqiptarët në Itali shoqërohen me burgje vetëm kur janë rezidentë në Itali dhe kur kanë kryer krime të rënda në mënyrë të përsëritur. Në rastet e tjera ata kthehen mbrapsht në Shqipëri me vendimin e përzënies. Kjo do të thtoë se numri i shqiptarëve të burgosur mund të përfaqësojë një fluks arrestimesh më të lartë se sa 50 persona në javë. Dhe në fakt në vitin 2016 u dëbuan nga Italia rreth 5 mijë e 800 shqiptarë.

E dhëna interesante e nxjerrë nga lajmet e shtypit italian është se, në pjesën më të madhe, të arrestuarit rezultojnë të pranishëm në Itali me vizë turistike, ose në përgjithësi në mënyrë “të parregullt”, ndokush i dëbuar disa herë, shumë të tjerë të padënuar.

Dhe në fakt ky është “kufiri” i ri i emigracionit shqiptar: Evropa e Shengenit i jep mundësinë të qendrojnë si turistë për 90 ditë, çdo gjashtë muaj, qoftë edhe me një garanci që tregon se ke shtëpi ku të qëndrosh ose të ardhura financiare për të mbajtur veten, gjëra që rregullohen lehtë me një kartë krediti apo me një deklarim nga të afërmit emigrant të rregullt në Itali.

Kështu, në median italiane lexon histori shpërndarësish droge të arrestuar në hotelet ku qendronin prej javësh, apo histori shqiptarësh të specializuar në vjedhje banesash që qëndrojnë në apartamente të të afërmëve të largët. Duke lexuar këto lajme, me intuitë mund të kuptohen motivet e udhëtimit të shumë të rinjve të veshur mirë me ora të shtrenjta që takohen në mënyrë të vazhdueshme në aeroport.

Për fat të mirë, jo të të gjithë janë kriminelë, edhe pse ligjin e shkelin të gjithë njësoj—ka edhe nga ata të cilët kanë gjetur një mënyrë për të bërë në të zezë punë stinore, në veçanti në periudhën turistike.

Një zonjë nga Vlora tregon se ka dy vjet që në këtë mënyrë ndërrohet me mbesën e saj, edhe ajo pa leje pune, për të mbajtur një të moshuar në Italinë e veriut, duke zëvendësuar njëra-tjetrën çdo tre muaj. Të dyja marrin një rrogë të mirë që u mundëson shpenzimet e udhëtimit dhe një jetë më të qetë në periudhat e pushimit në Shqipëri.

Për të matur me saktësi këtë dukuri duhen statistikat e TIMS-it, të cilat vetëm qeveria i ka, por sipas statistikave të publikuara nga INSTAT shihet se numri i shqiptarëve që shkojnë jashtë vendit në një vit, është rritur me më shumë se 1 milionë qytetarë nga viti 2013 deri më sot është, duke nisur nga rreth 3,9 milionë në vitet 2012 dhe 2013, për të arritur në 4,8 milionë në 2016, me një rritje të fortë në pjesën e parë të vitit 2017.

Sigurisht, pjesa më e madhe e tyre shkojnë jashtë për të takuar prindërit, por pasoja e atyre që në të vërtetë përfitojnë mund të kthehet në shkatërruese për të gjithë popullsinë, me një mundësi të rikthimit të kufizimeve për hyrjen në Shengen.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>