Edhe një herë mbi sigurimin e detyrueshëm të pronave

Edhe një herë mbi sigurimin e detyrueshëm të pronave

Në shtyp u dha lajmi se Autoriteti i Monitorimit Financiar (AMF)—një institucion i pavarur nga qeveria—ka përgatitur një projekt-ligj për të bërë të detyrueshëm sigurimin e pronës nga rreziqet natyrore, si tërmetet dhe përmbytjet. Ky projektligj i përfunduar aktualisht është për diskutim me Bankën Botërore u shpreh dje në një konferencë për shtyp kreu i AMF-së Ervin Koçi.

Nëse projekti bëhet realitet, çdo pronar duhet të paguajë rreth 5 mijë deri në 7 mijë lekë (40-50 euro) për sigurimin vjetor të pronave, përveç taksave lokale mbi to.

E gjithë kjo bëhet për të përfituar dëmshpërblim nëse prona do të dëmtohet nga shkaqe natyrore. Ndërkohë dihet mirë se në praktikë ka një hendek të madh mes kërkimit të dëmshpërblimit dhe arkëtimit të tij nga kompanitë siguruese.

Sigurimi i detyrueshëm në Shqipëri nuk është veprim i ri, dhe ka legjitimitet bazuar në faktorë shoqërore— mjafton të përmendim dy raste të njohura mirë: sigurimin e detyrueshëm për automjetet; dhe sigurimin shëndetësor dhe shoqëror për punonjësit.

I pari është i nevojshme për të dëmshpërblyer dëmet e shkaktuara nga papërgjegjshmëria në përdorimin e mjeteve motorike ndaj palëve të treta, ndërsa e dyta duhet për t’i siguruar çdo punëtori trajtim shëndetësor dhe pension.

Duke qenë të detyrueshme, pra duke mos patur mundësi për të mos i zgjedhur këto sigurime, legjitimiteti i tyre varet nga rezultati final: dëmshpërblimi në rastin e automjeteve; dhe cilësia e shërbimit shëndetësor dhe niveli i pensionit në rastin e sigurimeve shëndetësore e shoqërore. Fatkeqësisht, niveli dhe cilësia e këtyre shërbimeve lë shumë për të dëshiruar.

Në vetvete, fakti që kemi një qeveri e cila mendon për shëndetin financiar të qytetarëve në rast katastrofe është gjë e mirë sepse ndihmon në perceptimin e një shoqërie më të mbrojtur.

Por pyetja e pashmanghshme është: çfarë kuptimi ka të detyrosh pronarët e banesave të sigurohen, kur shteti është i pafuqishëm të detyrojë kompanitë e mëdha, madje edhe kur ato punojnë me kontrata shtetërore, të paguajnë sigurimet për të gjithë punëtorët?

Ndoshta qeveria do të bënte më mirë t’i shpenzonte energjitë për të detyruar pronarët e kompanive të sigurojnë punëtorët e tyre se sa të detyrojë qytetarët të paguajnë siguracion mbi banesat e tyre.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>