Edi Rama, siç i ka hije burrë shteti, i deklaroi në mënyrë solemne Sekretarit të Përgjithshëm të NATOs:
“Mirënjohje ndaj NATO dhe popujve e qeverive të ndryshme aleate që duke i hapur dyert Shqipërisë i dhanë vendit tonë të drejtën për të ndarë barrën e mbrojtjes kolektive të botës së lirë, edhe për tu përfshirë në vendimmarrjet e një rëndësie të madhe për ecurinë e lirisë dhe integritetin e vlerave të botës ku ne kemi zgjedhur të jemi pjesë e pandarë. … Kemi mundësi dhe kapacitete për të përballuar me sukses këtë betejë dhe për ta fituar këtë që Papa Françesku e quan një Luftë të Tretë Botërore”.
I vetërekrutuar publikisht nën flamurin e Papa Françeskos, ky burrë shteti-piktor i ka dhënë luftës kundër ISIS kuptimin e luftës fetare, dhe, duke ju referuar të drejtës që mendon se ka për të marrë pjesë në vendimet e mëdha për lirinë dhe vlerat e botës perendimore, Ai i ka ngarkuar vetes zyrtarisht detyrën e mbrojtjes së krishtërimit, gati gjashtë shekuj pas Gjergj Kastriotit.
Por Skënderbeu luftoi në tokën e tij, ndërsa kësaj here beteja zhvillohet në tokën e kundërshtarit, ashtu si dikur me kryqëzatat.
Nëse Rama do të pushtoj Jeruzalemin, muri i lotëve do të jetë me ngjyra.