Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) pritet të vendosë në fillim të muajit tetor për miratimin ose jo të dozës shtesë të vaksinës Pfizer kundër COVID-19 për të gjithë njerëzit e moshës mbi 16 vjeç.
Shefi i strategjisë së vaksinave në EMA, Marco Cavaleri, tha të enjten se “të dhënat tregojnë se imuniteti kundër COVID-19 zvogëlohet me kalimin e kohës”.
Ndërkohë, disa vende të BE-së po u ofrojnë qytetarëve të tyre mundësinë për të marrë një dozë përforcuese.
“Nëse nuk nevojiten informacione shtesë, vendimi shpallet në fillim të tetorit”, tha Cavaleri.
Të dhënat e prezantuara nga Pfizer dhe BioNTech, sugjerojnë se efikasiteti i vaksinës zbehet me gati 6 për qind çdo dy muaj pas marrjes së dozës së dytë.
Si rezultat, ato thonë se, personat e vaksinuar në fillim të procesit të vaksinimit, tani janë më të cenueshëm ndaj infektimit.
Disa ditë më parë rregullatori i ilaçeve në SHBA miratoi dhënien e një doze të tretë të vaksinës vetëm për personat mbi 65 vjeç.