Emigrantët në pikën kufitare të Kakavijës kanë bllokuar rrugën dhe kanë nisur protestën, pas vendimit të policisë greke për të mbyllur portën e kalimit nga toka neutral në tokën greke.
Disa prej policëve shqiptarë kanë tentuar të shpërndajnë qytetarët për të mos krijuar probleme dhe acarim me palën greke.
Mesditën e së shtunës, policia greke mbylli portën ku kalojnë qytetarët shqiptarë nga toka neutral në tokën greke. Sipas policëve, mbyllja po bëhet vetëm për të shmangur grumbullimin e qytetarëve në tokën greke, çka do të vështirësonte më shumë punën në sportelet e doganës greke.
Aktualisht raportohet se dogana shqiptare po punon me 5 sportele, ndërsa ajo greke me 3 sportele, ndaj krijohet grumbullim njerëzit që presin të lirohen sportelet greke.
Shkak për dyndjen e emigrantëve në pikëtn kufitare të Kakavijës është puna me orë të shkurtuara të doganës greke dhe vendimi i qeverisë greke për të vënë në karantinë të detyruar këdo që hyn pas datës 17 gusht në vend.
Sipas raportimeve në media, radha ka arritur gjatësinë e 25 kilometrave, deri në fshatin Grapsh.