NE DUHET TË DIMË SE ÇFARË AJRI PO THITHIM– NEVOJITEN TË DHËNA TË SAKTA DHE TRANSPARENTE
Pavarësisht progresit të rëndësishëm që nga krijimi i rrjetit të stacioneve matëse të cilësisë së ajrit dhe sistemeve të informimit publik në rajon, cilësia dhe sasia e të dhënave të ndotjes është ende e pakënaqshme dhe rezultatet zyrtare duhet të jenë shumë më të aksesueshme dhe të qarta, siç thuhet nga Fondi Evropian për Ballkanin, gjatë zbatimit të fushatës “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër” me partnerë nga rajoni.
“Qytetarët e Ballkanit Perëndimor kanë të drejtë të njohin nivelet e ndotjes së ajrit dhe të informohen për çdo ndryshim që ndodh. Shtetet dhe qeveritë lokale duhet të ofrojnë akses në informacionin mbi ndotjen e ajrit në çdo kohë. U kujtojmë atyre dhe mediave se kjo është po aq e rëndësishme sa raportimi i motit, dhe ato të dhëna duhet të jenë në kohë dhe lehtësisht të aksesueshme”, deklaruan pjesëmarrësit në fushatën rajonale, duke përfshirë organizata nga Beogradi, Prishtina, Podgorica, Sarajeva, Zenica, Shkupi dhe Tirana.
Pavarësisht progresit në ngritjen e një rrjeti stacionesh matëse të cilësisë së ajrit, ka ende mbulim të pamjaftueshëm territorial. Edhe në zonat urbane ka mungesë informacioni për disa ndotës, veçanërisht për grimcat PM 2.5, një nga substancat më të rrezikshme. Edhe pse është e rëndësishme për popullsinë që të dhënat të disponohen çdo orë, të dhënat nga shumë stacione publikohen me vonesë.
Shumica e vendeve në rajon nuk kanë një listë të saktë të burimeve dhe sasive të emetimeve të ndotësve. Pa këtë dhe investime serioze në stacionet matëse, nuk mund të realizohen veprimet e duhura për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia ranë dakord për Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në nëntor 2020 duke nënshkruar Deklaratën e Sofjes, e cila përcaktoi detyrimet e vendeve të rajonit për të përmirësuar matjen dhe raportimin dhe hapi një rrugë drejt fondeve të BE‐së.
Presioni publik mbetet kyç në përmirësimin e sistemit të matjes dhe ushtrimin e të drejtës së gjithësecilit për t’u informuar për nivelin e ndotjes së ajrit.
Fushata “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër” u iniciua nga Fondi Evropian për Ballkanin në partneritet me këto organizata: Eco Forum nga Zenica, Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit nga Tirana, Sbunker dhe Balkan Green Foundation nga Prishtina, Air Care nga Shkupi, OZON nga Podgorica, Instituti Rregullator i Energjive të Rinovueshme dhe Mjedisit dhe Shkolla e Hapur e Beogradit nga Beogradi. Ajo zhvillohet për të dytin vit radhazi, duke synuar ndërgjegjësimin e qytetarëve të rajonit për shkaqet dhe pasojat e ndotjes, mënyrat e mundshme të përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe luftën për një mjedis më të shëndetshëm. “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër” thekson domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal për transformimin e industrisë së energjisë dhe sistemit të mbrojtjes së mjedisit, i cili do të përmirësonte si ekonominë ashtu edhe shëndetin publik.
Së bashku, pjesëmarrësit e fushatës do të vënë në dispozicion të gjitha materialet e saj që u përkasin të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, përfshirja aktive e të cilëve pritet.
Për më shumë informacion mbi fushatën, ju lutemi kontaktoni: Kledisa Cela
Koordinatore Projektesh
Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit