Enkeleda Hoxha, ëngjëlli mbrojtës i kriminelëve–Si liroi nga burgu Doklen, Billon, Tafilin dhe Pajën

Nga Exit News
Enkeleda Hoxha, ëngjëlli mbrojtës i kriminelëve–Si liroi nga burgu Doklen, Billon, Tafilin dhe Pajën

Qëllimi i Reformës në Drejtësi ishte të dënonte kriminelët dhe politikanët e korruptuar. Mbrëmja e së enjtes tregoi për të disatën herë se jo vetëm kriminelët nuk po dënohet, po madje, ata me burgim të përjetshëm po lirohen duke shfrytëzuar hapësirat ligjore.

Enkeleda Hoxha, gjyqtarja e Krujës, është shndërruar në avokatin mbrojtës të disa nga kriminelëve më të rrezikshëm.

Mbrëmjen e të enjtes, në komunën e Parisit u ekzekutua Hekuran Billa, i cili ishte dënuar në mungesë, me burgim të përjetshëm ne Angli për vrasjen e një 22 vjeçari dhe plagosjen e rëndë të dy të tjerëve, në 2006. Ai u arrestua në Shqipëri në nëntor të 2007, ndërsa nuk dihet se si ka arritur të kalojë kufirin.

Dënimi i gjykatës angleze mbeti në fuqi dhe u njoh nga gjyqtari Altin Abdiu në 13 maj 2014.

Më pas në korrik 2016 gjyqtari Lefter Jahaj vendosi të ndryshojë vendimin e gjykatës së Tiranës për njohjen e vendimin me burgim të përjetshëm dhe ta ulë dënimin në 25 vite burgim, të cilat do të llogariteshin që nga dita e arrestimit, 15 nëntor 2007. Pra Billa do duhet të qendronte në burg deri në vitin 2032.

Por në shkurt 2019 Billa doli nga burgu me një vendim të Gjykatës së Krujës. Sipas gazetarit Qyno, gjyqtarja Hoxha i ka ulur disa herë dënimin dhe si përfundim, e nxori në lirim me kusht duke i falur 5 vjet burgim.

Lirimi i Billas nuk është rasti i parë, i cili lirohet pavarësisht ekzistencës së dënimit me burgimit të përjetshëm, nga e njëjta gjyqtare.

Endrit Dokle

Në janar të 2020 u lirua me kusht nga burgu Endrit Dokle i dënuar me burgim të përjetshëm dhe anëtar i bandës së Durrësit.

Gjyqtarja Hoxha pranoi kërkesën e Dokles për ta konvertuar dënimin e përjetshëm në dënim 25 vjeçar, dhe pranoi kërkesën për tu lënë i lirë pasi ka kryer ¾-ën e dënimit 25 vjeçar. Gjyqtarja justifikoi vendimin e saj dhe me faktin se i burgosuri kishte siguruar një kontratë pune në firmën Mateo Konstruksion, në pronësi të Agim Cakos.

Endrit Dokle njihet si një prej drejtuesve të Bandës së Durrësit, që vepronte që prej vitit 1994.Endrit Dokle, së bashku me 16 persona të tjerë, pjesë e bandës, janë dënuar për dhjetra vrasje në Tiranë e Durrës, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qeniesh njerëzore. Madje Dokle, përveç dënimeve të përjetshme për vrasjet e atentatet, ishte dënuar edhe me 16 vite të tjera heqje lirie për shkak se drejtonte trafikun e drogës nga burgu.

Genc Tafili

Në nëntor të 2017, Genci Tafili i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e kreut të policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, u lirua  nga gjyqtarja Hoxha, pavarësisht se ligji e parashikon që nga lirimi me kusht nuk mund të përfitojnë personat e dënuar për veprën penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, vepër për të cilën ishte dënuar dhe Tafili.Genc Tafili kreu 17 vite burg që nga arrestimi i tij në vitin 2000.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni kërkoi shkarkimin nga detyra, ndërkohë dhe Presidenti Meta kërkoi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisjen e hetimit ndaj saj. KLD vendosi një masë disiplinore ndaj gjyqtares Hoxha.

Ilir Paja

Gjyqtarja Hoxha liroi Ilir Pajën, i cili njihet nga të gjithë me nofkën “UFO”,1 vit para se dënimi i tij të përfundonte.Ilir Paja është i njohur për arratisjet nga burgjet italiane dhe gjermane. Disa vite më parë, Ilir Paja, i arratisur nga burgjet italiane, tentoi të ekzekutonte një efektiv policie, i cili kishte shkuar ta arrestonte në vitin 2008.

Ministri i Drejtësisë i asaj kohe Nasip Naço, ka kërkuar fillimisht shkarkimin e gjyqtares dhe largimin e saj nga trupa gjyqësore shqiptare, por në Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi paralajmërim.

Ndaj saj ka nisur vetëm një hetim administrativ nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.Vendimet e saj të dyshimta, duhet të jenë objekt për nisjen një hetimi penal nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>