EURALIUS fsheh opinionin ligjor mbi Prokurorin e Përkohshëm të Përgjithshëm

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
EURALIUS fsheh opinionin ligjor mbi Prokurorin e Përkohshëm të Përgjithshëm

Prej disa muajsh tashmë, Exit është përpjekur të gjejë “opinionin ligjor” hartuar nga EURALIUS IV, lidhur me zgjedhjen e Prokurorit të Përkohshëm të Përgjithshëm. Ky opinion u përdor nga qeveria shqiptare si argument për të zgjedhur në mënyrë antikushtetuese në këtë post Arta Markun.

Opinioni ligjor thuhet se u kërkua nga kreu i Komisionit të Ligjeve, deputeti socialist Ulsi Manja. Përgjigjia nga EURALIUS mbërriti në zyrën e tij më 13 nëntor 2017 me numër protokolli 2836. Letra shoqëruese e opinionit ligjor mbante stemën e EURALIUS-it, dhe ishte nënshkruar nga shefja e EURALIUS Agnes Bernhard dhe këshilltari ligjor i OPDAT, Jon Smibert. Vetë dokumenti i opinionit ligjor është pa koke, pa datë dhe i panënshkruar.

Ndërkohë, më 22 nëntor 2017, OPDAT i ka kthyer përgjigje nënkryetarit të  Komisionit për Çështje Ligjore, Eduard Halimi. Dokumenti që përmban të njëjtin opinion ligjor me atë të EURALIUS, kësaj radhe mban stemën e OPDAT dhe është  firmosur nga Jon Simbert.

Kjo letër nuk përmban numër protokolli.

Pra, Ulsi Manja nuk e ka ndarë dokumentin e datës 13 nëntor të dërguar nga EURALIUS me nënkryetarin  e komisionit, i cili është detyruar më pas të kërkonte opinionin drejtëpërdrejt nga EURALIUS dhe OPDAT.

Është e paqartë se përse OPDAT, dhe jo EURALIUS, i dha Halimit një kopje të mendimit ligjor dhe pse letra e OPDAT nuk u firmos dhe nga Agnes Bernhard.

Për të qartësuar këtë situatë Exit.al ka dërguar tre kërkesa për informacion: në Komisionin Evropian, në misionin EURALIUS dhe në Kuvend.

Në kërkesën e parë drejtuar Komisionit Evropian, mësuam se në tre vitet e misionit të tij, EURALIUS IV kishte lëshuar vetëm një opinion ligjor — atë të dërguar tek Ulsi Manja më 13 nëntor për Prokurorin e Përkohshëm të Përgjithshëm.

Në kërkesën e dytë drejtaur EURALIUS,  nuk morëm asnjë informacion sepse ky i fundit nuk pranoi të bënte publik opinionin ligjor, duke sqaruar se EURALIUS nuk ka “asnjë aktivitet të marrëdhënieve me publikun”.

Kërkesën e fundit të para pak ditëve ia drejtuam Kuvendit për bërjen publike të të gjithë komunikimit mes Komisionit të Ligjeve dhe EURALIUS.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj, të gjitha rekomandimet e EURALIUS janë publike në faqen e tyre – në të cilën, në fakt, nuk gjendet opinioni ligjor i dërguar tek Ulsi Manja dhe Eduard Halimi në lidhje me Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm. Për më tepër, Gjonçaj refuzoi të bëjë publike letrën që Ulsi Manja i ka dërguar EURALIUS-it për të kërkuar opinionin ligjor.

Pyetjet e mia ndaj drejtueses së EURALIUS Agnes Bernhard dhe kolegëve të saj se pse opinioni ligjor nuk është vënë në dispozicion të publikut janë injoruar. Edhe pse EURALIUS është një mision i ndihmës juridike i financuar nga para publike evropiane, ai refuzon të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij përpara atyre që i paguajnë këto para për të.

E gjithë kjo mund të duket si një fiksim i joni, por rëndësia e kësaj situate nuk duhet të nënvlerësohet. Ky ka qenë një dokument — i vetmi i lëshuar në tre vjet nga një mision i ndihmës juridike ndërkombëtare — që ka pasur pasoja të mëdha. Opinioni ligjor dhe vendimet që u morën duke u bazuar tek ai, kanë ulur efikasitetin e prokurorisë dhe kanë çuar në një sërë vendimesh në shkelje të Kushtetutës nga PPP Arta Marku.

Për më tepër, opinioni ligjor vë në dyshim serioz mundësitë që reforma në drejtësi, që lejoi kapjen e prokurorisë nga qeveria, të jetë një reformë e suksesshme.

Kjo është edhe më ironike, pasi diplomatët ndërkombëtarë që mbështesin EURALIUS-in vazhdimisht drejtojnë gishtin nga opozita për “përpjekje të shumta për të prishur ose, të paktën, për të vonuar reformën” — ata në fakt duhet ta drejtojnë gishtin nga vetja.

Dokumenti që përmban opinionin ligjor të EURALIUS ngjan më shumë me një dokument fantazmë: Komisioni Evropian mohon të ketë informacione ose dokumente mbi EURALIUS; EURALIUS refuzon t’i përgjigjet kërkesës së medias dhe Kuvendi mohon të publikojë dokumentin, numri i protokollit të të cilit është bërë publik në shtyp. Çdo kush i përfshirë në këtë proces duket se ka prirjen të fshijë çdo gjurmë të këtij opinioni ligjor, pasojat e të cilit do të ndjehen për një kohë të gjatë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>