Një grup eurodeputetësh i janë drejtuar me një letër Komisionit Europian dhe EASA (Agjensisë së BE për Fluturimin e Sigurt) mbi mënyrën se si qeveria menaxhoi kërkesat e kontrollorëve të Albcontrol javën e kaluar.
Në letër, zbardhur nga FaxNews, ata shprehen shumë të shqetësuar që qeveria ka arrestuar 3 kontrollor për shkak të mosmarrëveshjes mbi pagat.
Eurodeputetët theksojnë se shpallja e paaftësisë së përkohëshme nga ana e tyre “…justifikohet sipas Konventës Ndërkombëtare për Aviacionin Civil, e cila ndalon që kontrolluesit e ajrit të ushtrojnë detyrën e tyre, nëse janë të vetëdijshëm se kanë probleme me gjendjen e tyre mjekësore, qoftë fizike apo mendore.”
Sipas tyre qeveria shqiptare e ka menaxhuar situatën në kundërshtim me praktikat europiane duke dërguar ushtrinë, duke burgosur kontrollorët dhe duke i zëvendësuar ata me kontrollorë të huaj të paautorizuar e të pakualifikuar.
Situata kërkon ndërhyrjen e Komisionit dhe EASA-s, sipas eurodeputetëve.
Në vijim, letra e plotë:
” I nderuar Komisioner Valean,
I nderuar Komisioner Varhelui,
I nderuar Drejtor Ekzekutiv Ky,
Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për një situatë në Shqipëri që është sjellë në vëmendjen tonë, që përfshin arrestimin e tre kontrollorëve të trafikut ajror.
Në mes të një mosmarrëveshje rreth shkurtimit të pagave, tre kontrollorë të trafikut ajror në aeroportin e Tiranës janë arrestuar, pasi deklaruan, së bashku me të gjithë kolegët e tyre, se ishin përkohësisht të paaftë.
Vendimi i tyre justifikohet sipas Konventës Ndërkombëtare për Aviacionin Civil, e cila i ndalon kontrolluesit e ajrit të ushtrojnë detyrën e tyre, nëse janë të vetëdijshëm se kanë probleme me gjendjen e tyre mjekësore, qoftë fizike apo mendore.
Qeveria shqiptare është përpjekur të zgjidhë këtë situatë në kundërshtim me praktikat europiane, me dërgimin e ushtrisë, marrjen e kontrollorëve të huaj, burgosjen e disa prej kontrollorëve dhe kërcënimin me humbjen e vendit të punës.
Përballë kësaj, kontrollorët shqiptarë që janë kthyer në punë, e kanë bërë këtë nën një stres të jashtëzakonshëm, një situatë qartësisht në kundërshtim me rregulloret e vendosura evropiane mbi sigurinë.
Ministria shqiptare e Transportit ka lejuar zëvendësimin e kontrollorëve të trafikut ajror të burgosur me personel të paautorizuar dhe të pakualifikuar, duke vendosur sigurinë dhe stabilitetin e shërbimeve të trafikut ajror mbi Shqipërinë në rrezik të madh, për të mos thënë të rrjetir në tërësi.
Kjo situatë është qartësisht në shkelje të Shtojcës 1 të Konventës së Çikagos dhe rregulloret eeuropiane të trajnimit. Trajnimi për kontrollin e hapësirës ajrore zakonisht zgjat një deri në dy vjet. Është konfirmuar se qeveria shqiptare ka ftuar kontrolluesit turq të vijnë dhe të marrin kontrollin e hapësirës ajrore.
Kjo ka një ndikim të rëndësishëm në sigurinë e hapësirës ajrore në Jug-Lindje, dhe pilotët e linjave ajrore duhet të kenë shumë kujdes kur kalojnë hapësirën ajrore shqiptare.
Kjo situatë kërkon një reagim të fortë nga Komisioni Evropian dhe EASA. Ne i bëjmë thirrje Komisionit Evropian dhe EASA të vendosin procedura urgjente të sigurisënë mënyrë që të mos ketë ndërprerje të fluturimeve brenda hapësirës ajrore përreth Shqipërisë.
Ne e nxisim Komisionin Evropian të vendosë kontakte me autoritetet shqiptare dhe ti ftojë ata që të zhbëjnë veprimet e tyre, si dhe të përfshihen në një dialog me punëtorët, për t’iu siguruar atyre një mjedis të sigurt pune, dhe një hapësirë të sigurt ajrore.
Ne e nxisim Komisionin Evropian të kujtojë qeverinë shqiptare për detyrimet e saj si pjesë e procesit të integrimit në përputhje me rregulloren e BE-së.
Eurodeputetët që kanë nënshkruar letrën:
Clare Daly
Mick Wallace
Gunnar Beck
Luke Ming Flanagan
Costas Mavrides
Tatjana Zdanoka
Ciaran Cuffe
Dietmar Koster
Marianne Vind
Athanasios Konstantinoi
Maeco Campomenosi
Elena Kointoura
Elena Lizzi