Eurokomisioneri për Zgjerim Johannes Hahn theksoi sërish rëndësinë e rivendosjes së besimit mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, pas vendimit për mos hapjen e negociatave.
Gjatë takimit me grupin Miqtë e Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Europian, Johannes Hahn deklaroi:
“Është koha të mbajmë premtimet e angazhimet dhe të pranojmë përparimin e këtyre dy vendeve.
Shpresoj që gabimi strategjik i mosdhënies së dritës jeshile të merituar për hapjen e negociatave të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të rregullohet.”
Eurokomisioneri shprehu shqetësimin e tij se refuzimi i Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut nga Be-ja mund të shfrytëzohet nga aktorë të tjerë politikë:
“Nuk duhet të lëmë një boshllëk në rajon i cili do të shfrytëzohet nga aktorë të tjerë politikë që nuk kujdesen për standardet dhe vlerat e BE-së.”
Vetëm pak ditë më parë, Rusia ftoi Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut të nënshkruajë marrëveshje për tregti të lirë me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik (EAEU), të udhëhequr po nga Rusia. Marrëveshjen për tregti të lirë me këtë bashkim ekonomik e nënshkroi së fundmi dhe Serbia.