Eurokomisioneri për Zgjerim Johannes Hahn, që po viziton sot Tiranën, mori pjesë në mbledhjen e qeverisë për të diskutuar për fazën pregatitore të hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.
“Prania ime në Tiranë është veçanërisht për përurimin e procesit të vlerësimit analitik dhe ky është hapi i parë i procesit të negociatave që shtrihet para nesh. Qysh prej fillimit të shtatorit do të zhvillohen takime në Bruksel duke u ndaluar tek kapitulli 24. Ky do të jetë fokusi ynë dhe detyra që shtrihet para jush në muajt që vijim është që të vazhdoni të jepni rezultate në mënyrë që të tejkaloni çdo dyshim të mbetur”, u shpreh zoti Hahn.
Njëkohësisht me punën pregatitore, eurokomisioneri tha se qeveria duhet të vazhdojë punën me reformat dhe të plotësojnë kriteret e vendosura nga KE:
“Parlamenti duhet të amendojë ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë që shkolla e magjistraturës të rrisë numrin e studentëve të rekrutuar dhe trajnuar qysh prej fillimit të këtij viti.
Është shumë e rëndësishme që edhe anëtarët e KLP dhe KLGJ të emërohen. Është përgjegjësi e përbashkët e qeverisë dhe opozitës që të zbatojmë shpejt reformën në drejtësi.”
Ai theksoi rëndësinë e administratës në këtë proces, duke kërkuar që ministritë të vënë në dispozicion njerëz me njohuri e përvojë:”
“Do të jetë thelbësore që të caktohen burime në personel që të përballeni me këtë proces. Në çdo ministri të linjës do t’ju duhet një personel i mjaftueshëm me përvojë që do të negociojë me ne, sepse nuk mund t’ja lini në dorë vetëm Ministrisë së Jashtme dhe Kryeministrisë.
Do të negocioni, jo vetëm me ne, por edhe me drejtoritë e specializuara të komisionit. Duhet të kemi njerëz me përvojë në mënyrë që të kryejmë këtë procedurë kaq të rëndësishme.”
Ndërkohë kryeministri Rama tha se kabineti i tij është gati të punojë gjatë vitit të ardhshëm për të hapur negociatat vitin tjetër:
“Prej sot dhe deri në pranverën e vitit që vjen ne jemi të detyruar ta përdorim me efikasitet kohën dhe të garantojmë një nivel të lartë koordinimi, për të fuqizuar progresivisht të gjitha njësitë kordinuese të procesit të negocimit për anëtarësim në BE.
Ne i kemi analizuar resht për resht qoftë rekomandimin e komisionit qoftë konkluzionin e Këshillit dhe jemi të qartë për detyrat. Asgjë nuk na pengon që edhe punën e madhe që kemi përpara në këto 12 muaj ta bëjmë me cilësi të lartë dhe ta bëjmë pa asnjë të sharë, kur i themi ne në shqip.”
Pas vizitës së shkurtër në Tiranë, eurokomisioneri Hahn do të vizitojë dhe Shkupin.