Komisioneri i BE-së për Zgjerimin Johannes Hahn deklaroi dje se Shqipëria dhe Maqedonia mund të marrin rekomandimin për hapjen e negociatave në verën 2018.
Gjatë një interviste për medien gjermane Die Welt, eurokomisioneri u shpreh:
“Komisioni Europian do t’i rekomandojë shteteve anëtare, së shpejti – me gjasa deri në verë, – hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Ne besojmë se të dyja vendet kanë bërë reforma të rëndësishme dhe kualifikohen për këtë hap.”
Me dhënien e rekomandimit pozitiv nga KE, i takon më pas shteteve anëtare të vendosin për hapjen e negociatave për dy vendet.
Deklarata e eurokomisionerit vjen pak javë pasi Komisioni Evropian publikoi Strategjinë e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor që jepte përshkrime shqetësuese për gjendjen ekonomike, politike dhe shoqërore të vendeve të BP.
Raporti në përgjithësi nuk jepte vlerësime pozitive për reformat e ndërmarra nga qeveritë e BP-së dhe theksonte se nuk do të ketë anëtarësime apo hapje negociatash vetëm për hir të afateve, pa parë hapa konkretë në reforma.