Eurokomisioneri për Zgjerim Olivér Várhelyi deklaroi sot se Shqipëria duhet të punojë për të zgjidhur shqetësimet e vendeve të BE-së që bllokuan hapjen e negociatave në tetor 2019, për të rritur mundësitë për hapjen e tyre.
Gjatë konferencës për shtyp, pas takimit me kryeministrin Rama, eurokomisioneri u shpreh:
“Ne e konsiderojmë Shqipërinë si një shtet që është gati të hapë negociatat me BE dhe ne do të punojmë fort që kjo të ndodhë para Samitit të Zagrebit. Për ne raporti i KE-së vazhdon të jetë i vlefshëm.
Fakti që nuk u hapën negociatat në tetor ka pasur të bëjë me shqetësimet e disa shteteve anëtare dhe duhet t’i shikojmë me vëmendje. Po punojmë që të gjejmë një zgjidhje në mënyrë që të ecim përpara me procesin e zgjerimit.”
Eurokomisioneri Várhelyi përshëndeti marrëveshjen mes opozitës dhe qeverisë për Reformën Zgjedhore dhe theksoi nevojën për të ecur me reformat e luftën ndaj korrupsionit e krimit:
“Mirëpres marrëveshjen e djeshme për reformën zgjedhore. Të gjitha këto janë lajme të mira por kemi ende sfida përpara. Duhet të bëjmë shumë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin.”
Lidhur me punën e bërë deri tani, eurokomisioneri përgëzoi qeverinë dhe lajmëroi dhënien e 28 milionë eurove, pjesë e fondeve të para aderimit (IPA)”
“Duke pasur parasysh performancën dhe punën e mirë të bërë nga Shqipëria deri më tani, nga fondet e para të aderimit unë kam mundësinë që nga autoriteti buxhetor të japim 28 mln euro shpërblim për performancën, punën e bërë që besoj se do t’ju arrijnë së shpejti.”
Gjatë ditës, eurokomisioneri do të takohet dhe me presidentin Meta dhe përfaqësuesit e opozitës.
Vizita e eurokomisionerit në Tiranë vjen pas vizitës një ditë më parë në Maqedoninë e Veriut.