Euronews reportazh për dëmtimin e Lagunës së Nartës nga Aeroporti i ri i Vlorës

Nga Exit News
Euronews reportazh për dëmtimin e Lagunës së Nartës nga Aeroporti i ri i Vlorës

Shqipëria ndodhet në një nga shtigjet përshkuese më të rëndësishme për zogjtë mërgimtarë që fluturojnë ndërmjet Europës dhe Afrikës. Laguna e Nartës, e cila gjendet në vijën bregdetare jug-lindore të Detit Adriatik, dhe që përfshin mbi 10 000 hektarë tokë kripore dhe toka te kultivueshme, është vendi ku qindra lloje shpendësh tranzitor vijnë për të pushuar. Është vendqëndrimi i dytë më i rëndësishëm për shpendët ujor në Shqipëri, i cili përbën vetëm një nga arsyejet përse ky vend është kthyer prej kohësh, në një zonë të mbrojtur.

Shpendëve të Lagunës së Nartës që tani i duhet të ruhen prej plumbave të gjuetarëve apo edhe prej rrugëve të zëna. Por plumbat dhe automjetet nuk janë rreziku i tyre i vetëm. Tashmë po bëhen plane për ndërtimin e një aeroporti ndërkombëtar pikërisht brenda kësaj zone të mbrojtur.

Planet kontroverse

Masterplani i qeverisë nuk përfshin veçse ndërtimin e këtij aeroporti. Në fakt, parashikohet edhe ndërtimi i komplekseve madhështore të hoteleve, marinave apo edhe resorteve turistike. Ne u takuam me disa prej ekspertëve më të arritur në Shqipëri që i studiojnë këto shpend prej vitesh, të cilët prej kohësh tashmë kanë ndezur kambanat e alarmit ndaj këtyre zhvillimeve turistike.

Shkencëtarë si Erald Xeka nga Shoqëria Ornitologjike Shqiptare, si edhe Zydjon Vorpsi, koordinator i projekteve pranë Organizatës për Mbrojtjen e Natyrës, PPNEA, janë tmerrësisht të shqetësuar nga ky plan. Zona e këtij ndërtimi është një nga ekosistemet ujore më të mëdha jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë Mesdheun.

Xeka na tregon se “shpendët e përdorin këtë pjesë të Adriatikut për të migruar, kështu që nëse ne e rrezikojmë atë, do të kthehemi në një pengesë direkte për ta”. Vorpsi shton se “këto plane shkojnë kundra çdo lloj legjislacioni kombëtar apo ndërkombëtar”. Shqipëria po aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe këto plane shkojnë kundër të gjitha direktivave rreth shpendëve dhe habitateve të tyre”. Asnjë prej ekspertëve nuk është kundra ndërtimit të një aeroporti, ata thjesht nuk duan që ai të ngrihet në një zonë të mbrojtur.

Një zonë që ka nevojë të ndjeshme për nxitje ekonomike

Por Laguna e Nartës është gjithashtu shtëpia e shumë peshkatarëve. Viktor Mocka është njëri prej tyre. Si shumë prej popullsisë vendase, ai nuk është i shqetësuar për projektin e ri për këtë aeroport. Madje, ai beson se kjo do t’i sjell kësaj zonë një përfitim të madh ekonomik. Ai thotë se “ky aeroport do të jetë diçka e mirë për fshatrat dhe qytetet tona, është afër dhe nuk do të na duhet të shkojmë më në aeroportin e Tiranës. Dhe përveç kësaj, do të ndërtohet një rrugë e lidhur direkt me detin si dhe shumë hotele. E gjithë kjo do të sjellë punësim”.

Është e vërtetë që Shqipëria është një nga shtetet më të varfra të Europës dhe ky rajon është në nevojë të thellë për një nxitje ekonomike.

Kryebashkiaku i zonës, Dritan Leli mban po të njëjtin mendim si Viktori. Ai e shikon qytetin e Vlorës si të ardhmen e turizmit Mesdhetar. Ai i përgjigjet argumenteve të vrojtuesve të zogjve duke thënë se kjo zonë ku ata duan të ndërtojnë aeroportin, edhe në të shkuarën ka patur pikërisht një aeroport.  Deri në fillim të viteve 90, këtu ka patur një aeroport ushtarak. Ai na thotë se është pjesë e detyrës së tij si kryebashkiak, që të krijojë zhvillim ekonomik për vendin e tij. Ai gjithashtu shprehet se beson fuqishëm që ky aeroport i ri do të jetë diçka e mirë për rajonin. Ai dëshiron që të ndërtohet sa me shpejt të jetë e mundur.

Ndërkohë, Xeka na tregon se aeroporti i vjetër nuk ishte një aeroport real. Ai vë re një diferencë të dukshme mes një aeroporti të vogël ushtarak, që ka trafik tejet të ulët, me një aeroport ndërkombëtar komercial, si ai që po propozon administrata aktuale.

Plotësimi i rregullores së mbrojtjes

Laguna e Nartës dhe zonat përreth saj, janë të gjitha pjesë e zonës së mbrojtur që njihet si Vjosa-Narta. Vjosa-Narta gjithashtu është pjesë e çdo lloj rrjeti të mundshëm ekologjik ndërkombëtar. Ajo gjendet nën “Rrjetin e Zonave të Mbrojtura”, njihet si një “Zonë e Rëndësishme për Shpendët” si dhe një “Zonë Kyçe për Biodiversitetin”. Ajo gjithashtu përmbush të gjitha kriteret për t’u klasifikuar si një “Tokë-Ujore me Rëndësi Ndërkombëtare” dhe është emëruar nga vetë shteti Shqiptar për të qenë kandidate për “Rrjetin Emerald”, pjesë e Konventës së Bernit.

Shqipëria gjithashtu ka nënshkruar “Marrëveshjen Ndër-Qeveritare për Konservimin e Shpendëve Ujor Shtegtues Afrikano-Euro Aziatik” (AEËA), e cila përfshin 92 specie të gjetura në këtë Lagunë. Përveç kësaj, më shumë se 200 lloje shpendësh të egër janë gjendur dhe monitoruar në këtë zonë. Paç kas të gjitha këtyre, ndërtime të ndryshme hotelesh kanë nisur të shfaqen nga hiçi, kudo përgjatë vijës bregdetare. Ekspertët kombëtar thonë se strategjia e shtetit për të zhvilluar industrinë turistike në këtë zonë po shkatërron tokat dhe habitatet e këtyre shpendëve.

Zgjedhjet e ardhshme mund të kenë të bëjnë me këtë përpjekje për të ngritur zhvillimin turistik dhe kjo duket se e ka mbingarkuar dhe rënduar biodiveristetin e kësaj zone. Partitë politike, përfshi mazhorancën dhe forcën më të madhe opozitare kanë marrë anën e promovuesëve turistik.

Vorpsi na tregon se ndërtimi në zonën e Vjosa-Nartës “është një çështje shumë problematike për të gjithë rrjetin e zonave të mbrojtura. Nëse krijojmë një precedent që na lejon të ndërtojmë investime strategjike kudo që duam, edhe në zona të mbrojtura, kjo do të rrezikonte të gjithë zonat e tjera në të ardhmen”.

Ndërkohë, Xeka punon me një grup ornitologësh Hungarez. Kërkimet e përbashkëta Shqiptaro-Hungareze mbi rrugët shtegtuese filloi 6 vite më parë. Në mënyrë që të thithin të dhëna ekzakte, shpendët e fuqishëm meshkuj janë të pajisur me radio-emetues që e marrin energjinë nga dielli. Sidoqoftë, paç kas të gjithë këtyre studimeve, politikanët Shqiptar po tentojnë të vazhdojnë me planet e tyre infrastrukturore të nxitur nga sukseset turistike.

Shqetësimet e BE-së

Raporit i Komisionit Europian ka ndërmarr një kritikë të detajuar të legjislacionit Shqiptar rreth investimeve strategjike dhe ka ngritur kështu disa shqetësime që kanë të bëjnë me mbrojtjen e biodiversitetit të Vjosa-Nartës. Këto shqetësime janë ndarë edhe me 37 organizata Europiane që mbrojnë botën e gjallë, të cilat i kanë shkruar një letër të hapur Kryeministrit Shqiptar.

Por të shumtë janë ata që besojnë se nëse nuk ndryshojmë mendësinë, popullsitë e këtyre shpendëve ujor mund të zhduken dhe mbase do të vij dita kur speciet e egra do të mund të shihen vetëm në muze.

Xherri Xhemal është një koordinator pranë organizatës natyrore PPNEA. Ai na tregon ‘pied avocet’ shpendin e mahnitshëm që ai thotë se ‘është një nga speciet që shumohet në këtë zonë, por që mund të mos jetë më në gjendje ta bëjë këtë pas ndërtimit të aeroportit”.

Arian Mavriqi është një fotograf i mirënjohur i botës së gjallë. Ai e ka kthyer lagunën e Nartës në një nga zonat më të preferuara për ‘gjuetinë’ e fotove me shpend. Ai tregon se ka parë shumë lloje shpendësh në Lagunën e Nartës dhe se ka bërë foto të panumërta ama nuk është i bindur nëse do të mund të vazhdojë ta bëjë këtë edhe pas ndërtimit të aeroportit. Ai shpreson vërtetë që qeveria të ndërrojë mendje.

Një këmbim miqësor

Si pasojë e gjithë kësaj dhe me qëllim që të ndryshojë mendjen e banorëve të zonës rreth ndërtimit të këtij aeroporti, PPNEA organizojë një operacion dashamirës ku fotot e shpendëve u dhanë në këmbim të zogjve pellush. Pronari i “Tavernës së Miqësisë”, ku u zhvillua ky aktivitet, beson se aeroporti duhet të ndërtohet në mënyrë që të ndihmojë ekonominë. Ama, ai gjithashtu mendon se duhet të ndërtohet pak më larg, në mënyrë që mos ta ndikojë në ekosistemin dhe në jetën e shpendëve. Duket se me ngadalë, mendësitë mund të kenë nisur të ndryshojnë.

Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Kjo tregon se ky shtet duhet të respektoj të gjitha ligjet e BE-së, përfshi direktivat Europiane për të mbrojtur botën e gjallë dhe habitatin e tyre. Për momentin, planet për këtë aeroport janë në vazhdim. Por ekspertët e botës së gjallë po luftojnë me çdo mënyrë për të ndryshuar diçka pasi siç thotë dhe Zydjon Vorpsi, ata “nuk e kanë luksin ta humbin këtë perlë”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>