Partia Demokratike ka denoncuar, të hënën, një rast të një familjeje në Shijak, shtëpia e së cilës është dëmtuar nga dy tërmetet e vitit të kaluar, por ende vazhdon të jetojë brenda shtëpisë së dëmtuar, duke rrezikuar çdo ditë jetën.
Dorian Teliti vizitoi familjen Shahini në Shijak, për të parë nga afër dëmet e shtëpisë dhe për tu njohur me historinë e saj.
Sipas kryefamiljarit Shpëtim Shahini, më vlerësimin e pare të shtëpisë, inxhinierët e kishin nxjerrë atë për shembje, ndërsa në vlerësimin e dytë i kanë thënë që është për DS3, një nivel dëmi ku familja merr dëmshpërblim për dëmet, por jo banesë të re.
Pavarësisht kësaj, Shahini tha se ende nuk i ka marrë paratë që i takojnë pasi bashkia i ka kërkuar të paguajë të gjithë taksat dhe detyrimet e tjera që ka pa paguar.
Në kushte të vështira ekonomike, Shahini tha se ka marrë para borxh për të paguar inxhinierët dhe noterët për të bërë gati dokumentet e shtëpisë. Ai u shpreh se ka frikë se lekët që do të marrë nga dëmshpërblimi nuk do t’i dalin as për të paguar borxhet, ndërkohë që duhet ende të rikonstruktojë shtëpinë e dëmtuar rëndë.