Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu kërkoi opozitës që të garantojë zgjedhje të lira.
“Opozita ka detyrë të parë të vetën që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Mediu gjatë një takimi më strukturat e PR në Paskuqan të dielën.
Ai tha se vendi është pa institucione që të sigurojnë respoektimin e të drejtave të qytetarëve. Për këto dhe për sistemin anti-kushtetues që ka ngritur, ai vlerësoi se fajin e ka kryeministri Edi Rama.
“Edi Rama ka shkatërruar sistemin kushtetues dhe shtetëror në Shqipëri. Nuk ka më gjykata. Parlamenti është një parlament qesharak”, u shpreh kreu i PR-së.
Media akuzoi qeverinë se nuk ka investuar që sistemi shëndetësor dhe qytetarët ta përballojnë pandeminë.
“Pandemia i ka shtuar problemet dhe hallet. Jo vetëm për faktin se është një problem i madh shëndetësor dhe nuk po menaxhohet sepse nuk është investuar në shëndetësi, por sepse qeveria shqiptare si asnjë qeveri tjetër në rajonin e Ballkanit, nuk po mbështet qytetarët e vetë dhe nuk po bën investime për të përballuar pandeminë”, akuzoi Mediu.