Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, gjatë një konference për shtyp pranoi se vëllai i tij është dënuar në Itali për pjesmarrje në organizatë ndërkombëtare kriminale dhe për trafik kokaine. Në fjalën e tij, ministri fajësoi për këtë veprim të vëllait të tij shoqërinë e keqe dhe moshën e re.
“Historia e tim vëllai, e lidhur me një ngjarje të vitit 2002, kur ai ishte një 25-vjeçar i gjendur në vendin e gabuar dhe nën shoqërinë e njerëzve të gabuar, nuk e implikon as dje dhe as sot qeverinë ku unë bëj pjesë”, — u shpreh Ministri Xhafaj.
Ai deklaroi se kjo është një akuzë e vjetër e njohur që në vitin 2002, duke u shprehur se:
“Sot Partia Demokratike paketoi mediatikisht si zbulim të ri një çështje të ndodhur në vitin 2002, e cila ka më shumë se 15 vjet që e sjell dhe e risjellë në vëmendje të publikut këtë çështje”.
Ai akuzi opozitën se sulmet ndaj tij janë për shkak të detyrës së tij duke thënë se “nuk luftojnë dot me argumenta në punën time, si dje gjatë reformës në drejtësi ashtu edhe sot si Ministër i Brendshëm”.
Ministri shtoi se problemi i vëllait të tij nuk ka lidhje me të. Ai tha se:
“Duket e thjeshtë, por akoma unë nuk kam mundur të kuptoj se cili është problemi i personalitetit tim si njeri dhe si zyrtar në lidhje me çfarë bën, apo akoma më shumë se çfarë ka bërë para 15 vitesh im vëlla”.
Sot paradite, Partia Demokratike akuzoi ministrin Xhafaj se po mbron nga kryerja e dënimit vëllain e tij Agron Xhafaj, i dënuar në Itali për pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Në një konferencë për shtyp, deputeti Enkelejd Alibeaj publikoi dokumentet që vërtetojnë se vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj është dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge, por duke qenë se ndodhet në arrati nuk ka kryer asnjë ditë të dënimit.