Eksperti amerikan mbi sëmundjet infektive, njëkohësisht këshilltar i Presidentit mbi çështjet e shëndetit, Dr. Anthony Fauci deklaroi të dielën se pavarësisht përhapjes së variantit Delta, vendi nuk do të mbyllej më.
Duke folur në një intervistë për ABC News, Fauci tha se niveli i vaksinimit në SHBA ishte garanci që vendi nuk kishte më nevojë të izolohej.
“Jo në masën sa të frenojë një shpërthim të ri, por besoj mjaftueshëm për të mos lejuar të hyjmë në situatën në të cilën ishim dimrin e kaluar,” citohet Fauci në një raportim të Reuters.
Varianti Delta i virusit Covid-19 po përhapet me shpejtësi në të gjithë globin, përfshirë edhe vendet aziatike, të cilat deri tani ishin prekur shumë pak nga valët e infektimeve që provoi Evropa.
Fauci ngriti shqetësimin e personave, të cilët nuk pranojnë të vaksinohen.
“Kemi 100 milion njerëz në këtë vend që kanë të drejtë të vaksinohen dhe nuk po vaksinohen,” u shpreh Fauci, i cili shërben edhe si drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive.
Ndërkohë, për kreun e Institutit Kombëtar të Shëndetit Francis Collins përhapja e variantit Delta të paktën po shërbente për të ndërgjegjësuar njerëzit mbi rëndësinë e vaksinave.
“Ana pozitive e kësaj është se njerëzit po zgjohen dhe kjo mund të jetë një pikë kthese për ata që kanë qenë në mëdyshje,” tha ai në një intervsitë për CNN.
Ai gjithashtu kritikoi rëndë guvernatorin e Florida-s, një prej shteteve më të prekura nga vala e re, Ron DeSantis pasi nuk ka pranuar vendosjen me detyrim të maskave për nxënësit e shkollave.
“Thjesht duket llogjike që, në një komunitet ku virusi po përhapet, dhe kjo është pothuajse e gjithë Florida tani, të bëhet gjithçka që është e mundur për ta parandaluar, përfshirë mbajtjen e maskave për fëmijët në shkolla,” pohoi Collins.
Aktualisht, janë mesatarisht 58% amerikanët që kanë marrë të paktën një dozë vaksine, ku kryeson shteti i Vermontit me 76%, ndërkohë që niveli më i ulët rezulton në Misisipi, me vetëm 40% të popullsisë së rritur që ka marr të paktën një dozë.