
Byroja Federale Amerikane e Hetimeve (FBI) do të marrë pjesë në ekipin e hetuesve ndërkombëtarë të shpërthimit të 4 gushtit në Bejrut, që shkaktoi më shumë se 170 viktima.
Lajmin e dha David Hale, mënsekretari amerikan për Çështje Politike, i cili tha se pjesëmarrja e FBI-së është me ftesë të institucioneve të Libanit:
“FBI-ja do t’iu bashkohet shumë shpejt hetuesve libanezë dhe atyre ndërkombëtarë, me ftesë të Libanit, në mënyrë që të ndihmojmë në gjetjen e përgjigjjeve për pyetjet që e dimë se të gjithë i kanë rreth kushteve që kanë nxitur këtë shpërthim.”
Shpërthimi i 4 gushtit shkaktoi mbi 170 viktima, 6 mijë të plagosur dhe mendohet se ka lënë rreth 300 mijë persona të pastrehë, pasi shtëpitë e tyre janë shkatërruar plotësisht.
Shpërthimi nxiti protesta të shumta mes qytetarëve, të cilat detyruan qeverinë e Hassan Diabit të japë dorëheqjen.
Parlamenti i Libanit miratoi të enjten shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke i dhënë ushtrisë fuqi për të shpallur shtetrrethim, të ndalojë organizimet në rrugë, si dhe të censurojë mediat.