Në prill 2018, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një “kod sjelljeje” për deputetët e vet, në të cilën shkruhet se deputeti nuk duhet të abuzojë me imunitetin parlamentar, duke e përdorur atë për të penguar një arrestim të mundshëm.
Gjashtë muaj më vonë, shumica socialiste në Byronë e Kuvendit ka miratuar një komentar mbi këtë kod sjelljeje, ku neni i ndalimit të abuzimit me imunitetin duket se interpretohet në mënyrë krejt ndryshe.
Komentari i quajtur “Udhëzuesi i Detajuar për Sjelljen në Kuvend” është miratuar nga Byroja me propozim të Sekretarit të Përgjithshëm Genc Gjonçaj pa shumë zhurmë shtatorin e kaluar dhe në tëaludohet se një kërkesë e mundshme nga prokuroria për arrestimin e një deputeti mund të përbëjë edhe një komplot për destabilizimin ose cenimin e pavarësisë së kuvendit.
Dokumenti merr përsipër të interpretojë legjislacionin aktual dhe procedurën e ndjekur deri tani mbi heqjen e imunitetit parlamentar me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, duke deklaruar se procedura “përbën një filtër verifikimi” për të shmangur rrezikun që kërkesa për arrest të jetë komplot për destabilitet.
Kjo duket se është tentativa e dytë e socialistëve në pak muaj që synon forcimin e imunitetit parlamentar që kur shumica socialiste refuzoi kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri.
“Ky mekanizëm procedural është mbrojtje e veçantë ligjore, kur ndaj tyre kërkohet masa earrestit, heqja e lirisë në çfarëdolloj forme, ose ushtrimi i kontrollit personal të banesës ngaorgani i akuzës dhe që shërben si filtër i verifikimit, nëse kërkesa synon presionin,destabilizimin, ose cenimin e pavarësisë së institucionit”, shkruhet në dokument.
“Dispozitat procedurale, që parashikojnë rregullat dhe mënyrën e shqyrtimit dhe lëshimit të autorizimeve për kufizim të të drejtave të deputetit, kanë si qëllim që, nëpërmjet procedurave,të verifikohet nëse kërkesat e paraqitura nga organe që përfaqësojnë pushtete të tjera tëpavarura, synohet ose tentohet që nëpërmjet goditjes së individit, të dëmtohet ose tё preket funksionimi normal dhe pavarësia e institucionit,” vijon më tej argumenti.
Në janar të këtij viti, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, propozoi një amendim në rregulloren e Kuvendit me argumentin se procedura e heqjes së imunitetit ndaj arrestit ishte e paqartë. Sipas ndryshimit të propozuar, Prokuroria duhet të shoqërojë kërkesën për lejim arresti me “prova” ndërsa Kuvendi (d.m.th. shumica parlamentare) fiton të drejtën të gjykojë mbi vlefshmërinë e provave.
Socialistët duket se u tërhoqën nga propozimi pas kritikave të opozitës, e cila e shpalli atë një nismë që synon ta kthejë kreun e shumicës parlamentare në gjykatës të provave të prokurorisë.
Socialistët janë forca e parë politike që u përball me një kërkesë të drejtpërdrejtë nga Prokuroria e Përgjithshme për arrestimin jashtë kushteve të flagrancës së një deputeti, ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili në atë kohë, ishte nën hetim si në Shqipëri ashtu edhe në Itali për bashkëpunim me organizatën e trafikut ndërkombëtar të drogës të njohur si “Vëllezërit Habilaj”.
Kodi i Sjelljes së Kuvendit është një dokument i miratuar në prill të këtij viti, në të cilin, në lidhje me imunitetin shkruhet se deputeti nuk duhet të “abuzojë” me imunitetin “për të penguar veprimet e drejtësisë”.
Rastet e abuzimit me imunitetin parlamentar nuk është se nuk ekzistojnë. Në tetor 2014, policia shqiptare ishte duke kryer një operacion kundër trafikut të drogës i njohur me kodin “Laguna e Vilunit”. Dokumente të zbuluara më vonë nga media treguan se ish-deputeti MarkFrroku kishte përdorur imunitetin parlamentar për të ndaluar policinë në arrestimin e një të dyshuari.
Ndryshe është rasti i supozuar nga komentari mbi kodin e etikës parlamentare. Deri tani nuk njihet ndonjë rast në të cilin, prokuroria të ketë kërkuar arrestimin e një deputeti si pjesë e një komploti kundër stabilitetit të kuvendit.
Botuar në Reporter.al