Fituesit dhe humbësit e vërtetë të referendumit britanik

Fituesit dhe humbësit e vërtetë të referendumit britanik

Fituesit

52 për qind e votuesve britanikë

52 për qind e britanikëve votuan pro daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian në referendumin e 23 qershorit.

Nigel Farage, kreu i Partisë për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP)  dhe Boris Johnson, konservator, ish-kryebashkiaku i Londrës

Të dy këta politikanë ishin udhëheqësit kryesor të fushatës për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja.

Nigel Farage është ndoshta i vetmi politikan anglez që gjithë karrierën e tij politike e ka kaluar duke propaganduar daljen e vendit nga BE-ja. Një rrjedhojë ironike për atij që Farage e quan referendumin e lavdisë është se rezultati i referendumit e lë praktikisht Nigel Farage pa punë. Ai është deputet i Parlamentit Europian dhe Mbretëria e Bashkuar do t’i humbasë vendet e saj në PE, sapo të kryehen procedurat për daljen nga BE-ja.

Boris Johnson, përvecse një mbështetës i zjarrtë i daljes së vendit nga BE-ja, duket se është dhe kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Parisë Konservatore, në tetor 2016, pas dorëheqjes së kryeministrit Cameron.

Michael Gove, ministri i Drejtësisë

Ministri i Drejtësisë Gove ishte në fakt një mbështetës surprizë i fushatës Brexit, pasi ai njihet si aleat i ngushtë dhe mik i kryeministrit Cameron, ky i fundit udhëhoqi fushatën pro qëndrimit në BE.

Zoti Gove ka qenë një prej politikanëve që gjatë fushatës ka përdorur Shqipërinë si shembull negativ të shteteve që aspirojnë të anëtarësohen në BE. Ai përdori foto ku tregohej prapambetja e Shqipërisë për të paralajmëruar qytetarët e tij se ç’mund të pësojë Britania nëse vende të tilla ia dalin të anëtarësohen dhe për të bindur njerëzit të votojnë pro daljes nga BE-ja.

Votuesit e moshuar britanikë

Të gjithë sondazhet përpara referndumit e kanë quajtur votimin si një betejë mes brezave: kryesisht qytetarët mbi 65 vjeç mbështesnin daljen nga BE, ndërsa votuesin e rinj mbështesnin qëndrimin në BE.

Gjatë fushatës, mbështetësit e qëndrimit në BE provuan teknika të ndryshme për t’i ndryshuar mendjen brezit më të moshuar; më e famshmja ishte fushata “Fol me gjyshërit”, ku të rinjtë inkurajoheshin t’i ndryshonin mendjen gjyshërve të tyre për votimet. Por mesa duket, këto tentative nuk funksionuan.

Anglia dhe Uellsi

Në shumicën e zonave të Anglisë dhe Uellsit u votua masivisht pro daljes së vendit nga BE-ja. Pavarësisht se Londra, kryeqyteti i Anglisë votoi kundër daljes nga BE-ja, votat nuk arritën në kthejnë rezultatin total.

Humbësit

48  për qind e britanikëve

48  për qind e britanikëve votuan pro qëndrimit së Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Europian në referendumin e 23 qershorit.

Kryeministri britanik David Cameron

Humbësi i madh i këtij referendumi është mbështetësi më i madh i qëndrimit të vendit në BE, kryeministri Cameron. Ai deklaroi se do të dorëhiqet në tetor pasi nuk mund ta udhëheqë vendin në një drejtim që ai vetë as nuk e donte e as nuk e kishte parashikuar.

Fillimisht kryeministri konservator pranoi mbajtjen e një referendumi për të shuar zërat euroskeptikë brenda partisë së tij, me besimin e plotë që qytetarët do të votonin pro BE-së. Rezultati i referendumit, pavarësisht se me diferencë të ngushtë  tregoi se kryeministri ishte në anën e gabuar.

Monedha britanike paund

Votimi pro daljes nga BE ka influencuar menjëherë në vlerën e paundit, monedhës britanike, duke e çuar atë në nivelin më të ulët që prej vitit 1985. Nga 1,50 dollarë për 1 paund që tregonte kursi një ditë më parë, kur të gjithë sondazhet tregonin se do të fitonte qëndrimi në BE, sot një paund vlerësohet më 1,35 dollarë.

Kjo rënie është rënia më e madhe ndonjëherë brenda një ditë për paundin dhe sinjalizon tronditje në tregun anglez dhe botëror.

Kompanitë e sondazheve

Pothuaj çdo kompani e sondazheve parashikoi se do të fitonte qëndrimi në BE, pavarësisht se jo me shumë diferencë. Në fakt, studiuesit gjetën saktë vetëm diferencën e vogël të rezultatit.

Londra dhe Skocia

Londra, kryequteti i Anglisë, votoi masivisht për qëndrimin në BE, por pjesa tjetër e vendit arriti të mposhtë votat kryeqytetase.

Në Skoci, 62 për qind e votuesve votuan pro qëndrimit në BE. Ky rezultat ka mundësi të rihapë çështjen për pavarësinë e Skocisë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>