Sot, Kryebashkiaku Veliaj inaguroi këndin e lojrave në Parkun e Liqenit.
Një kënd lojrash i cili mjaftoi t’i shqyeje maskën të vetëquajturve të rafinuar të cilët u ofruan si udhëheqës. Kjo maskë u gris, ndoshta jo me qëllim, por me arsyen e vetme e naive për të mbrojtur qytetin nga betonizimi i radhës.
Qytetarët, të cilët nuk besuan më tek premtimet e dhurura me shumë lehtësi në fushata elektorale, u mblodhën nën një ulli dhe protestuan për 77 ditë. Ato protestuan dhe u ankuan për padrejtësinë e pësuar, nga të gjithë vendimet e padrejta të marra në dëm të këtij qyteti.
Pa mandate, pa asnjë sponsor, pa shumë llogari apo arsyetime, pa mbulim mediatik, pa mbështetje nga ambasadat, apo partitë opozitare, pa asnjë shpresë të dukshme suksesi, por me një qëllim të caktuar: duhet që dikush të thotë mjaft!
Qëndrueshmëria dhe vendosmëria e tyre zbuloi në sy të të gjithëve brumosjen e politikanëve të rinj që pretendonin se do të shpëtonin vendin.
Tregoi se sa ata ishin të aftë të gënjenin, të thyenin normat që ata vetë kishin dashur.
Tregoi falsitetin e tyre absolut, përçmimin që kishin për procedurat ligjore të një shteti normal.
Tregoi aftësinë e tyre për t’u fshehur mbas slloganëve të mësuar në seminare të ndonjë fondacioni të huaj; aftësinë për të dërguar policinë në dhunim të qytetarëve; aftësinë për të simuluar një aksident me qëllim kriminalizimin e kundërshtarit.
Sot, njerëzit e kanë kuptuar natyrën e vërtetë të kryeministrit Rama, i cili sakrifikon gjithcka në interes të miqve të tij ndërtues; natyrën e Kryebashkiakut Veliaj të gatshëm të mos mbaj asnjë premtim me kusht që të shpërblej klientët e tij.
Sot, pothuajse të gjithë e kanë kuptuar se Rilindja është një trillim për të mos ndryshuar sistemin, demokracia nuk është e përfshirë.
Dhe këtë, të gjithë ne e kuptuam falë të rinjve të Parkut. Të cilët nuk u intervistuan nga asnjë televizion, asnjë nuk i njeh emrat e tyre, sepse nuk kanë fatura për të lëshuar apo votues për të gënjyer.
Ata, në të vertet, janë qytetarët e parë të rilindur në këtë qytet dhe të vetmit fitues të kësaj historie.