Fjalimi mediokër i Kryeministrit para trupit diplomatik

Fjalimi mediokër i Kryeministrit para trupit diplomatik

Kryeministri Rama dha, para tre ditësh, një pritje për trupin diplomatik në Shqipëri, me rastin e festave të fundvitit.

Takime të tilla kudo në botë janë takime kortezie që zhvillohen në frymën festive të fundvitit. Kryetarët e shteteve dhe qeverive mbajnë ndonjë fjalim të shkurtër përshëndetës, zakonisht prej pak minutash, për të dhënë mesazhe bashkëpunimi e paqeje dhe ndoshta për të theksuar ndonjë çështje me rëndësi për vitin pasues.

Por, nuk ndodh asnjëherë kështu në takimin vjetor të Kryeministrit Rama me trupin diplomatik. Në pritjen që ai dha para tre ditësh, mbajti një fjalim shumë të gjatë, pothuajse 30 minuta, të mbushur me leksione, predikime, konstatime, tentativa për analiza të ndërlikuara e konkluzione të rënda për çështje botërore e rajonale.

Në fjalim e tij mungoi qoftë edhe një falenderim formal për ndihmën që ka marrë Shqipëria nga qeveritë dhe popujt e shumë vendeve, ambasadorët e të cilëve ishin në sallë. Sikurse, Kryeministri nuk tha asnjë fjalë për nevojat që ka Shqipëria për mbështetjen, ndihmën dhe bashkëpunim e vendeve të ndryshme.

Në shkelje të çdo lloj protokolli e etike, në një pritje me përfaqësues nga e gjithë bota, Kryeministri Rama zgjodhi të lëvdojë drejtues qeverish të vendeve të caktuara duke dëshmuar edhe dilentatizëm në punët e jashtme.

Më poshtë është një përshkrim më i detajuar i fjalimit të Kryeministrit në këtë pritje.

Kryeministri e fillon fjalimin me një përshkrim autoritar dhe të sigurtë të botës gjatë vitit që shkoi:

“Viti që po lëmë pas, i cili përkoi me 70-vjetorin e fundit të Luftës së Dytë Botërore, nuk shënjoi për botën tonë.. një kohë të kthjellët zhvillimesh entuziaste, por një tjetër kohë paqartësish shumë të mëdha. Me gjithë përpjekjet e ndriçuara, të cilat kulmuan në fund të këtij viti me përpjekjen globale të Samitit të Klimës në Paris, demoni i luftës dhe i përçarjes së përbotshme vijoi t’i zhvilloi trajtat e veta pa të ardhme, por që të ardhmen e gjithsecilit sot, po e mbështjellin me vranësira terri, të mbushur me premisat e terrorit.”

Menjëherë pas kësaj hyrjeje, Kryeministri Rama u dha një leksion të shkurtër ambasadorëve mbi profesionin e tyre:

“Detyra parësore e një diplomati dhe sidomos e një kreu përfaqësie, është njohja e historisë. Kështu, të paktën, këmbëngul që prej fillim shekullit të XVIII, një njohës i shquar i zanatit tuaj, Abraham de Wicquefort, në librin e  tij “L’Ambassadeur et ses fonctions.”

Edhe pse synon anëtarësimin në BE, edhe pse është duke kërkuar çdo çast hapjen e negociatave me BE-në, Kryeministri zgjodhi që fillimisht t’i informojë ambasadorët e botës për marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të. Plot pesë paragrafë ka folur për këto marrëdhënie, duke theksuar rëndësinë e madhe të tyre për Shqipërinë.

Rradha e BE-së nuk ka qenë as pas Amerikës. Ka qenë rradha e Kinës, të cilës Kryeministri i ka kushtuar mbi tre paragrafe dhe fjalë entuziaste dhe vlerësuese për vëmendjen e saj ndaj Europës Qëndrore dhe Lindore. Ndër të tjera ai i është referuar Kinës si “Kina e durimit të virtytshëm”.

Pastaj i ka ardhur rradha marrëdhënieve me BE. Por, disa nga fjalët që tha për BE-në qenë, si dhe herë të tjera, kritike dhe arrogante. Integrimit europian ai iu referua si:

“një proçes sado i lëkundur, i sulmuar apo i qesëndisur, nga brenda vetë Europës së bashkuar, por edhe nga të tjerë jashtë saj, që është në fakt e vetmja forcë mobilizuese dhe i vetmi instrument që ne kemi në dorë, për të realizuar objektivin e patjetërsueshëm të një  ardhmërie të ndarë me të gjithë.”

Më pas ai bëri një mishmash të proçesit të integrimit në BE, duke e lidhur atë me pjesëmarrjen në NATO, luftën kundër terrorizmit, etj. Në kuadrin e integrimit në BE, ai lëvdoi disa herë dhe falenderoi Kancelaren Merkel për mbështetjen ndaj Ballkanit, të cilën indirekt e quajti mësuese për të dhe gjithë Ballkanin.

Pastaj, duke folur për përpjekjet e qeverisë në procesin e integrimit, fjalimi ka vazhduar me klishetë e stërpërdorura prej vitesh si “progres raporti më i mirë”, “duam ta meritojmë integrimin”, “kemi për të bërë më shumë”, etj.

Kryeministri vijoi me një përshkrim të gjatë dhe të detajuar të reformave dhe arritjeve të qeverisë së tij. Fillimisht, ai i është referuar reformës në drejtësi, për të cilën ka folur me figura letrare dhe metafora jo shumë të kuptueshme, si në paragrafin:

“jemi të gjithë të vetëdijshëm, se pa i çuar rrathët e tërmetit të reformave nën këmbët e sistemit të drejtësisë, nuk do të garantojmë dot, themelet e ngrehinës moderne të shtetit demokratik që po përpiqemi dita-ditës të ndërtojmë, të cilat pa këtë reformë do të mbeteshin kështjella rëre që dallga e parë e rrëmbyer, i kthen në hiç.”

Fjalimi, në këtë pjesë, rrëshqet në pështjellime të ndërlikuara, që jo vetëm nuk thonë asgjë, apo thonë gjëra elementare, por shpesh nuk bëjnë asnjë lloj sensi. Fjalitë bëhen shumë të gjata duke u ktheyr në fjali-paragraf, si në fjalinë e mëposhtme prej 104 fjalësh:

“Manifestimet  e pakënaqësisë së menjëhershme që çdo qasje reformuese dhe çdo proçes transformues rrënjësor provokon në një trup të shëndetshëm. por të gërryer nga pakujdesia, neglizhenca, abuzimet dhe antalgjikët përgjumës për vite me radhë, unë i lexoj si shenja vitaliteti dhe sensibilizimi në një udhëkryq ku sot ndodhet vendi, midis inercisë së të shkuarës ku reformat u shtynë në vazhdimësi për mandatin e ardhshëm dhe bindjes sonë në të tashmen, se nuk ka më asnjë minutë për të humbur dhe reformat duhen çuar përpara me vendosmëri, duke përballuar të gjitha kostot e të gjitha dhimbjet, të cilat nuk mund t’i ndajmë me gjeneratën tjetër.”

Apo:

“Ndonëse shpesh ankohen, qytetarët e këtij vendi, në shumicë dërrmuese, aderojnë në dinamikën e reformave, mbështesin përpjekjen për t’ju rikthyer në disponim shtetin e munguar për vite e vite të tëra, të drejtat e detyrimet në raport me ligjin, me pronën dhe të ardhurat e tyre, aksesin në shërbime publike të denja e të pakorruptuara, luftën ndaj informalitetit shkatërrues, mundësinë për t’i ushtruar të gjitha të drejtat që u jep ligji në kuadrin e një proçesi gjyqësor të paanshëm, të pacenuar në integritet dhe garant të barazisë në trajtimin e të gjithë qytetarëve.”

Pas këtyre përsiatjeve, Kryeministri vazhdoi për rreth dhjetë minuta të flasë në detaje për arritjet e qeverisë. Sikurse çdo kryeministër tjetër i këtyre 25 viteve, edhe Zoti Rama foli për arritje historike të qeverisë së tij, të padëgjuara më parë, të cilat shënuan kapituj të rinj, fillime epokash historike, etj.

Pas kësaj, si duket duke dashur të diskreditojë akuzat për korruptimin e qeverisë, Kryeministri ka folur për kulturën e keqe politike dhe shoqërore në Shqipëri dhe ka ka dënuar, veçanërisht, thashethemet që, sipas tij, janë pengesë për përparimin e shoqërisë.

Më pas, Kryeministri ka folur gjatë për zhvillimet e të ardhmen e rajonit, veçanërisht për Kosovën.

Edhe pse shumica e të pranishmëve janë përfaqësues vendesh jo katolikë, duke lënë mënjanë anën laike të shtetit, në mënyrë joetike dhe jodiplomatike, Kryeministri Rama e ka përfunduar fjalimin me një referencë ndaj Papa Françeskut.

Më në fund, Kryeministri ka bërë një urim që duhet t’i jetë dukur i veçantë teksa ka thënë: “Qoftë viti 2016, të paktën më i mirë se viti 2015!”

Ndërsa, prania e lavdeve për Kancelaren Merkel, përmendja e Papa Françeskut apo citimet e shumta “alla google” nuk kanë suprizuar askënd; bën përshtypje që në fjalimin e tij Kryeministri nuk ka përmenduar asnjëherë Presidentin Obama. Një vit më parë, në takimin e fundvitit me gazetarët, Kryeministri e përmendi shtatë herë Obamën duke e lakuar emrin e tij në çdo rasë të mundshme.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>