Që Shqipëria po hyn në Europë mund të vihet re në detajet dhe në sjelljen si prej OJQ-je në diskutimet e shumicës së politikanëve shqiptarë.
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, për shembull, me gjithë stafin e ministrisë së saj, pruri një erë feminiliteti dhe ambientalizmi në botën e egër ushtarake, duke i dhënë një mundësi të jashtëzakonshme fotografike shtypit shqiptar, i cili mundi të fiksonte në objektiv pamjen e rrallë të një ministreje me gjeneralë e ushtarë duke mbjellë 1 mijë ullinj në Gërdec, një vend që mbart aq shumë simbolikë.
“Ky është një nga operacionet më të rëndësishme të Forcave të Armatosura, dhe pikërisht në një zonë simbol të keqpërdorimit, nga një vend vdekjeje e kthejmë Gërdecin në një vend ku lulëzon gjelbërimi,” deklaroi ministrja, e cila pastaj vazhdoi me një koment të gjatë lëvdues për moratoriumin e pyjeve, duke e përkufizuar atë si një nga reformat më të mëdha të qeverisë.
“Ai përpara nesh nuk na ka lënë një ambjent të pastër, ashtu siç kemi detyrë t’ja lëmë fëmijëve tanë. Sot mbollën 1 mijë bimë, por është sikur të kenë lindur 1 mijë fëmijë,” deklaroi triumfalisht Ministrja.
Që moratoriumi i pyjeve mund të ishte një nga reformat më të rëndësishme të kryera nga kjo qeveri kishim frikë që mund të ishte e vërtetë, por nuk kuptojmë nëse mesazhi i Kodhelit ishte një sfidë për kolegun e saj të Ministrisë së Ambientit Lefter Koka, për kolegun e saj të Ministrisë së Bujqësisë Edmon Panariti, apo për Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve John Kerry, i cili do të vizitojë Shqipërinë javën që vjen.
Me siguri Zoti Kerry do të befasohet shumë nga imazhi “green” i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, që pasi pastruan plehrat e qeset plastike nëpër rrugët e vendit tani po merren me mbjellje pemësh. Por ndoshta ai mund të ketë pritur nga Shqipëria një angazhim më të madh si anëtare e NATO-s.