Forcat e emergjencës pa mjetet minimale për operacione kërkimi-shpëtimi

Nga Arjan Balla
Forcat e emergjencës pa mjetet minimale për operacione kërkimi-shpëtimi

Me gjithë mobilizmin e jashtëzakonshëm të më shumë se 400 forcave të armatosura, 1 mijë policëve dhe të qindra punonjësve të emergjencave civile, operacionet e kërkim-shpëtimit të njerëzve të bllokuar në rrënoja kanë hasur vështirësi për shkak të mungesës dramatike të mjeteve minimale për zhvillimin e operacioneve të tilla.

Nga pamjet e transmetuara nga të gjitha vendet, ku kërkohet nën rrënoja, shihet se ekipet e ndihmës nuk kanë mjetet për pozicionimin dhe lokalizimin e personave nën rrënoja dhe për shpëtimin e tyre.

I gjithë procesi i kërkimit po zhvillohet në mënyrë të papërcaktuar, pa asnjë orientim dhe të dhënë. Me një kujdes të jashtëzakonshëm, punonjësit e kërkimit po largojnë me duar, më së shumti pa dorashka apo mjete të tjera ndihmëse, pjesët e ngurta të rrënojave, me shpresën se diku poshtë tyre mund të gjejnë persona.

Kjo situatë ka nxjerrë në pah sa të papërgatitura dhe të papajisura janë strukturat tona për të përballuar fatkeqësi natyrore si tërmeti.

Ekipet e kërkim-shëptimit nuk kanë asnjë qen të specializuar për lokalizmin e personave nën rrënoja, në një kohë kur qentë janë mjeti më i përdorur dhe më efektiv për gjetjen e të humburve nën rrënoja.

Mungojnë  të gjitha llojet e instrumenteve të lokalizimit dhe pozicionimit të gjallesave, përfshi detektorët elektromagnetikë, detektorët akustike, dedektorët termikë, dedektorët optikë, dedektorë me dridhje apo me gas për të kuptuar shenja jete.

Mungojnë gjithashtu mjetet e specializuara të shpëtimit, të tilla si krikët e të gjitha llojeve—pneumatike, hidraulike, apo teleskopike—për ngiritjen e strukturave apo materialeve të rënda; mugojnë sharrat dhe mjete speiale për prerje materialesh të forta si betoni, hekuri apo të tjera materiale ndërtimore.

Shpresa më e madhe në këto momente janë specialistët e huaj, që sapo kanë mbërritur nga Italia, Kosova, Kroacia e vende të tjera, të specializuar për kërkime të këtij lloji dhe të pajisur me mjetet e duhura.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>