Grupimi studentor ABC Tirana Club ka zhvilluar sot në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, Forumin e Diskutimit “Apliko pagesën elektronike”. Ky është edicioni i tretë i programit studentor “Edukimi ekonomik dhe financiar i publikut”, të cilin ABC Tirana Club e realizon për të tretin vit rradhazi në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë dhe e mbështetur nga Raiffeisen Invest.
“Apliko pagesën elektronike” ka filluar prej 15 prillit 2021 dhe po vijon me qëllim:
-nxitjen e publikut që të informohet dhe ndërgjegjësohet për nevojën e aplikimit të pagesave elektronike;
-prezantimin e efekteve pozitive dhe ndikimin në jetën e tyre të përditshme, por dhe impaktin në zhvillimin ekonomik, financiar të vendit etj;
-nxitjen e ekspertëve të fushës të jenë aktivë për gjenerimin e diskutimit dhe qarkullimit të ideve dhe pikëpamjeve mbi temën.
Johan MUKA, drejtues i ABC Tirana Club u shpreh se projekti synon dhe “nxitjen e institucioneve dhe agjencive publike e private, Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë, Bankën Qendrore, Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare, bankat e nivelit të dytë, Shoqatën Shqiptare të Bankave, qarqet universitare dhe akademike, shoqatat e konsumatorëve etj., që të intensifikojnë fushatat e informimit dhe edukimit në këto aspekte etj”.
Gjatë Forumit u prezantuan dhe gjetjet e një sondazhi që ka zhvilluar së fundmi ABC Tirana Club, me 350 konsumatorë në kryeqytet. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, prof. dr. Dhori KULE ka përshëndetur këtë iniciativë të studentëve.
Aktivistët e ABC Tirana Club janë shprehur se do të vijojnë fushatën e informimit dhe ndërgjegjësimit të publikut mbi përdorimin në shkallë të gjerë të pagesave dhe transfertave elektronike.
Ata kanë zhvilluar edicionin e parë të programit të tyre, titulluar “Shit dhe bli vetëm në monedhën kombëtare, Lek!” në vitin 2019. Kurse në vitin 2020 zhvilluan edicionin e dytë titulluar “DeCashizimi kundër informalitetit”.