Freedom House: Shqipëria drejt autoritarizmit

Freedom House: Shqipëria drejt autoritarizmit

Në raportin e saj “Nations in Transit 2018“, organizata e pavarur vëzhguese Freedom House jep një imazh të zymtë të Shqipërisë si një demokraci “në vend qëndro”, ku në vitin 2017 “çdo hap përpara u kompensua nga një tjetër hap prapa”.

Freedom House thekson bllokimin politik përpara zgjedhjeve të vitit 2017 dhe faktin se marrëveshja politike mes PS dhe PD vendosi “logjikën politike mbi dispozitat ligjore të kodit zgjedhor”. Siç kemi argumentuar më parë, marrëveshja McAllister+ ka dëmtuar sundimin e ligjit në Shqipëri.

Freedom House gjithashtu përmend se çdo progres në luftën kundër kultivimit të kanabisit u zhvendos nga “lajmi që ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është i lidhur me një rrjet trafikimi droge shqiptaro-italiane”. Pavarësisht nga këto zbulime, parlamenti, i kontrolluar nga PS-ja, bllokoi arrestimin e ish-ministri dhe krahut të djathtë të kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar nuk ka folur fare për këtë çështje.

Një tjetër çështje që raporti thekson është zgjedhja e Ilir Metës si President, i cili “perceptohet nga shumë qytetarë si simboli i korrupsionit”. Kryeministri Rama, kur ishte në opozitë e ka përdorur pikërisht këtë çështje për të sulmuar qeverinë Berisha-Meta.

Në fund, raporti përmend se zgjedhja jokushtetuese e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshëm Arta Marku “me një shumicë të thjeshtë në parlamentin shqiptar […] e dëmtoi seriozisht besueshmërinë dhe pavarësinë e prokurorisë”. Përsëri, ky veprim i qeverisë u mbështet nga misioni i SHBA-së dhe BE-së në Tiranë.

Ajo që vlen të theksohet është se në tre nga katër zhvillimet negative të përmendura në përmbledhjen e raportit, diplomatët ndërkombëtarë në Tiranë kishin një ndikim vendimtar.

Arritja e marrëveshja McAllister+ erdhi si pasojë e presionit të madh të SHBA-së dhe BE-së; as Delegacioni i BE-së dhe as Ambasada Amerikane nuk kanë bërë thirrje për arrestimin e Saimir Tahirit, megjithëse ata kanë përsëritur thirrjen për kapjen e “peshkut të madh”; të dy ambasadorët, si i SHBA-së dhe i BE-së mbështetën zgjedhjen e Arta Markut.

Raporti i Freedom House është, pra, njëkohësisht një aktakuzë ndaj qeverisë Rama dhe misioneve të huaja që veprojnë në Shqipëri.

Prespektiva e Freedom House për vitin 2018 është e paqartë, duke sugjeruar se ndonëse gjërat e mira mund të vijnë nga qeveria e Ramës, “kontrolli i plotë që kryeministri Rama ka mbi PS-në dhe shumica solide që gëzon në parlament, e kombinuar me një kontroll të ngushtë mbi ekzekutivin, mund të çojë në tendenca autoritare që mund të vënë institucione të tjera shtetërore nën kontrollin e kryeministrit.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>