Gjykata e Tiranës dënoi sot vetëm me 5 muaj burg të konvertuara në 60 orë punë në komunitet, ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi. Elvis Rroshi u dënua për fshehje të së shkuarës kriminale në formularët e vetëdeklarimit.
Për këtë rast, prokuroria kërkoi 7 muaj e 15 ditë burg, por gjykata e uli dënimin.
Elvis Rroshi është një ndër kryebashkiakët që falë ligjit të dekriminalizimit u shkarkua nga detyra pasi fshehu disa fakte të së shkuarës së tij:
- Në vitin 1995, dënuar në Itali për veprën penale të përdhunimit në grup;
- Në vitin 1995, dëbuar nga shteti Italian;
- Në vitin 1993, dëbuar nga shteti zvicerian;
- Në vitin 1997, arrestuar dhe dëbuar për herë të dytë nga shteti zvicerian.
Rroshi u shkarkua më 29 dhjetor 2016, nga Këshilli i Ministrave me motivacionin për shkelje të rënda të ligjit. Megjithatë shkarkimi nga detyra si kryebashkiak nuk e ka ndalur Rroshin të jetë ende aktiv brenda strukturave të Partisë Socialiste.