Talenti i futbollit shqiptar Marash Kumbulla po tërheq gjithmonë e më shumë vëmendjen në Serie-A. Gazetari italian Gianni Mura, në një opinion për gazetën La Republlica, e vlerësonte lojën e mbrojtësit të Veronës më të mirë se ajo e Matthijs De Ligt të Juventusit, për të cilin bardhezinjtë paguan në verë 85 milionë euro.
Gjatë fundjavës, në ndeshjen Lecce (1-1) Juventus, De Ligt preku topin me dorë në zonë dhe u mundësoi kundërshtarëve barazimin. Një gafë e ngjashme e holandezit u pa edhe ndaj Bolognas, por në atë situatë gjyqtari nuk dha penallti.
Krejt ndryshe po luan Marash Kumbulla. Djaloshi 19-vjecar, i cili po aktivizohet rregullisht ka lënë mbresa me lojën e tij duke shënuar edhe gol me Veronën.
Për këtë në rubrikën e tij “7 ditë me mendime të këqija”, gazetari Gianni Mura ka shkruar:
“Për momentin De Ligt i Amsterdamit nuk është parë tek bardhezinjtë. Mbetet për t’u parë në të ardhmen, por për tani Kumbulla po luan më mirë, dhe është gjashtë muaj më i ri se De Ligt. Edhe pse shumë mund të thonë se ka diferenca në të luajturin për Juventusin dhe për Veronën, po ashtu ka diferenca edhe në çmim. Sepse Kumbulla ndryshe nga De Ligt është i rritur në shtëpi, dhe ka kushtuar zero euro”.
De Ligt u kritikua mjaft që pas ndeshjes së parë me fanellën e Juventusit në korrik, pasi përballë Interit (4-3) në International Champions Cup, ai shënoi autogol.
Shtatlarti 20-vjecar u transferua për 85 milionë euro te Juventusi pas një sezoni të jashtëzakonshëm si kapiten i Ajaxit, me të cilët fitoi kampionat, kupë holande dhe vajti deri në gjysmë-finalet e Champions League-ës.
Kumbulla vjen nga skuadrat zinxhire të Veronas, me kombëtaren ai debutoi si zëvendësues në ndeshjen që Shqipëria fitoi 4-0 ndaj Moldavisë.