Genoveva Ruiz Calavera nuk i reziston dot vëmendjes

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Genoveva Ruiz Calavera nuk i reziston dot vëmendjes

Duket se tundimi për të qenë në qendër të medias dhe të bëhet një nga ndërkombëtarët e mirënjohur duke komentuar me këmbëngulje progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian ka shënuar një viktimë të re: Drejtoresha e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), njëkohësisht dhe Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor, në departamentin për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerim, Genoveva Ruiz Calavera.

Më 8 shkurt 2017, Ruiz Calavera dha konferencën e saj të parë për shtyp në Shqipëri, në të cilën ajo bëri të qartë se ONM do të kishte vetëm rol këshillues në procesin e vlerësimit të figurës (vettingut) dhe se ajo do t’i “rezistonte politizimit”.

Për më tepër, ajo bëri të qartë se ONM nuk do të flasë me gazetarët, duke deklaruar se “zëri i vetëm që do të komentojë punën tonë është faqja publike”.

Megjithatë, gjatë muajve të fundit, Ruiz Calavera ka treguar se po bëhet gjithnjë e më e pakujdesshme dhe se puna e saj për Komisionin Evropian rrezikon të ndërhyjë në funksionin e saj “neutral” si drejtoreshë e ONM-së.

Kjo përfshin pjesëmarrjen e saj në konferencën për Ditët e Mediave të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, në të cilën ajo mori pjesë në “panelin e madh” për të diskutuar të ardhmen e lirisë së shtypit në Ballkanin Perëndimor, e cila është shumë e politizuar, pjesërisht për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarëve.

Shembulli më i fundit është një intervistë për median gjermane Deutsche Welle. Me këtë intervistë, Ruiz Calavera thyen premtimin e saj për popullin shqiptar se ajo do të heshtë për punën e ONM-së dhe se do të publikojë vetëm informacion të bazuar në fakte për ecurinë e procesit të vetingut në faqen zyratre të ONM-së. Duke e thyer këtë premtim ajo ka komprometuar neutralitetin dhe integritetin e misionit të ONM-së.

Në intervistë, Ruiz Calavera e prezanton veten si zyrtare të Komisionit Evropian, dhe jo si shefe e grupit të vëzhguesve politikisht neutralë dhe profesionalë:

“Jam shumë e kënaqur që operacionet e vettingut kanë filluar dhe që së bashku me progresin në pesë prioritetet  kyҫe do  të hapin derën për hapin tjetër që do të hedhë Shqipëria në procesin e integrimit europian. Nuk dëshiroj të them se kur kjo do të ndodhë: në pranverën apo verën e ardhshme pasi varet vërtet nga progresi në procesin e vettingut dhe 5 fushat prioritare.”

Nuk është roli i drejtoreshës së ONM-së të “jetë e lumtur” dhe të thotë nëse vetingu do të jetë ose jo “hapi tjetër” për integrimin e Shqipërisë.

Në konferencën e saj të parë për shtyp në shkurt, ajo në mënyrë eksplicite deklaroi se donte të shmangte përdorimin politik të punës së saj nga palët e përfshira në procesin e verifikimit. Këto “palë” përfshijnë si BE, ashtu dhe qeverinë shqiptare dhe do të jetë vetëm çështje kohe përpara se Kryeministri Rama të fillojë të përdorë deklaratat e Ruiz Calavera për qëllimet e tij politike – që do të thotë fundi i neutralitetit të saj dhe hapja e mundësisë së sulmeve ndaj ONM-së nga opozita.

Për më tepër, Ruiz Calavera, pa qenë nevoja, vendosi të mbajë haptazi anën e ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, duke zgjedhur të mbështesë pretendimin e Komisionit Evropian se kritikat ndaj Ambasadores Vlahutin dhe Delegacionit të BE në Tiranë, gjithashtu të shprehura dhe në Exit.al, kanë lidhje me rezistencën ndaj procesit të vettingut:

“Rezistencën e kemi hasur që në fillim të procesit. Kryetarja jonë e Delegacionit të BE-së në Tiranë, ka qënë subjekt fushatash denigruese, shpifjesh dhe sulmesh totalisht pa asnjë bazë. Jam realiste që vettingu do të prekë interesa financiare të individëve që janë pasuruar padrejtësisht dhe nuk do të jetë një proces i qetë. Pres lajme të rreme, gjysëm të vërteta, fushata shpifjesh, sulmesh denigrurese ndaj meje.”

Pasi mbështeti lirinë e shtypit për të hetuar në mënyrë kritike ata që janë në pushtet, gjatë Ditës së Medias të Ballkanit Perëndimor, ajo bëri ketë deklaratë që meriton vemendje sepse Ruiz Calavera vetë deklaroi përpara gjithë shtypit shqiptar se ajo nuk do të jepte intervista dhe nuk do të fliste asnjë fjalë për procesin e vettingut për aq kohë sa ai do të zgjasë.

Por tani në këtë intervistë ajo ka përsëritur fjalë për fjalë të gjitha akuzat e ambasadores së BE-së Romana Vlahutin ndaj kritikave në shtypin shqiptar duke i cilësuar ato si “lajme të rreme”, një akuzë që më vonë u përsërit për fat të mirë nga Kryeministri Rama në sulmin e tij ndaj medias shqiptare.

Ndoshta, Zonja Ruiz Calavera nuk e kupton se çfarëdo që ajo thotë në mediat shqiptare do të përdoret kundër saj nga ndonjë nga partitë politike të përfshira. Prandaj, vendimi i saj fillestar, për të mos thënë asgjë, ishte shenjë mençurie dhe tregues i kuptimit të peizazhit politik dhe mediatik shqiptar tërësisht të politizuar. Heshtja e saj totale, në fakt, dha një ndjenjë shprese. Sepse mënyra më e mirë për të mbrojtur neutralitetin thelbësor të procesit të verifikimit, dhe veçanërisht të ONM-së, është që të mbeten të heshtur dhe të bëjnë punën e tyre.

Por me këtë intervistë në DW, ajo humbi një pjesë të madhe të besueshmërisë së saj si faktor neutral në procesin e verifikimit, për shkak të mbështetjes së saj të panevojshme për një ambasadore të BE-së që duhet të jetë në gjendje të shpëtojë veten dhe të përballojë kritikat ndaj saj – duke ofruar fakte dhe duke qenë transparente me median — dy gjëra që Zonja Vlahutin ose nuk ka dashur ose nuk ka qenë e aftë ta bëjë.

Duke iu përgjigjur një pyetje tjetër të DW, nëse “ka dritë në fund të tunelit”, Ruiz Calavera deklaroi:

“Nuk do të harxhonim kaq shumë fonde nga buxheti i BE-së, kaq shumë energji dhe kaq shumë nga kredibiliteti ynë nëse nuk të mendonim që do arrinim atë që presim në fund të procesit.”

Nuk do të shpenzoj shumë kohë për të sqaruar ironinë e kësaj deklarate, por interevista vetë tregon se tashmë ka mbetur shumë pak kredibilitet për tu harxhuar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>