Autoritetet shqiptare nuk u përgjigjën në mënyrë efektive ndaj një sulmi me acid në 2009 kundër një gruaje nga burri i saj, duke shkelur kështu nenin 2 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Në çështjen Tershana kundër Shqipërisë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi, më 4 gusht, se kishte mungesë të theksuar hetimi për sulmin e dhunshëm nga autoritetet shqiptare.
Aplikantja, Dh. Tershana, një grua shqiptare ishte viktimë e një sulmi me acid nga një person i paidentifikuar në 2009. Ajo pësoi djegie në 25% në fytyrën dhe pjesën e sipërme të trupit. Ajo duhej t’i nënshtrohej 14 operacioneve midis 2009 dhe 2012.
Ajo dyshoi se ish-bashkëshorti i saj ishte përgjegjës për sulmin. Pas sulmit, Tershana u tha autoriteteve se ai kishte qenë i dhunshëm ndaj saj në të kaluarën dhe e kishte kërcënuar se do ta vriste.
Ndërsa ky rast i dhunës me bazë gjinore, duhej të kishte nxitur një hetim veçanërisht të thelluar, autoritetet lokale nuk ishin në gjendje të identifikonin as substancën që u përdor në sulm. Për më tepër, hetimi u pezullua në vitin 2010, dhe pikëpyetjet e Tershanës në lidhje me ecurinë e saj mbetën pa përgjigje.
Në vitin 2014, Tershana paraqiti një ankesë në GJEDNJ, duke pretenduar se Shteti kishte dështuar ta mbronte atë dhe të zhvillonte një hetim të plotë dhe efektiv për ta sjellë autorin e sulmit para drejtësisë, duke shkelur kështu nenin 2 (të drejtën e jetës) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut .
Për më tepër, ajo u ankua se e drejta e saj për mjete efektive juridike, e garantuar me nenin 13 i Konventës, ishte shkelur, pasi ajo nuk mund të sfidonte ndjekjen penale, dhe as të kërkonte kompensim pas sulmit, as nga autori dhe as nga Shteti.
Për më tepër, Tershana u ankua se autoritetet lokale nuk i kushtuan vëmendjen e duhur çështjes së saj sepse ajo ishte një grua, duke shkelut nenin 14 të Konventës që ndalon diskriminimin në bazë gjinore.
Në vendimin e saj në 4 gusht, Gjykata hodhi poshtë pretendimin e saj që Shteti nuk kishte arritur ta mbronte atë, por argumetoi se mungesa e një hetim jo efektiv për sulmin e saj përbënte një shkelje procedurale të nenit 2.
Gjykata vendosi që Shqipëria duhet t’i paguajë Tershanës 12,000 € për dëmet dhe 2720 € për shpenzimet gjyqësore.